Max Kruse ka gjetur një mënyrë krejt të pazakontë për të vazhduar aktivitetin e tij pas tërheqjes nga futbolli profesionist. Ish-sulmuesi i Kombëtares së Gjermanisë ka hyrë në botën e biznesit, duke lançuar një produkt që ka tërhequr vëmendjen e tifozëve: akullore në formën e spagetit!
38-vjeçari, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur për skuadra si Werder Bremen dhe Wolfsburg, ka krijuar një sipërmarrje të re me emrin “Byce – The Ice Cream for Real Fans”, duke ndërthurur pasionin për futbollin me një ëmbëlsirë mjaft popullore në Gjermani.
Por çfarë është kjo akullore e veçantë?
E njohur si “Spaghetti Eis”, kjo ëmbëlsirë gjermane ka pamjen e një pjate makaronash. Akullorja me vanilje kalon përmes një prese të posaçme, e cila e shndërron në fije të holla që ngjajnë me spagetit. Më pas, sipër shtohet salcë luleshtrydhesh dhe çokollatë e bardhë e grirë ose kokos, duke krijuar pamjen e makaronave me salcë domatesh dhe parmixhano.
Versioni tradicional shërbehet mbi një shtresë panaje, por Kruse ka vendosur t’i japë këtij produkti një identitet futbollistik.
Ideja e tij është që akulloret të personalizohen sipas ngjyrave të klubeve të ndryshme, duke u ofruar tifozëve një ëmbëlsirë që lidhet drejtpërdrejt me skuadrën e tyre të zemrës.
Kruse e mbylli karrierën profesioniste në vitin 2023, kur luante me SC Paderborn. Tashmë, ish-futbollisti gjerman ka zgjedhur një fushë krejt tjetër për të qëndruar pranë sportit dhe tifozëve.

