Dezinformimi dhe ndërhyrjet e huaja, studiuesi David Colon: Shqipëria në vijën e parë të luftës globale të informacionit

02/11/2026 11:37

Dezinformimi dhe ndërhyrjet e huaja në hapësirën informative janë kthyer në një sfidë gjithnjë e më të madhe për demokracitë, veçanërisht në epokën e inteligjencës artificiale dhe rrjeteve sociale.

Pedagogu dhe studiuesi francez David Colon, specialist në manipulimin e informacionit, shpjegon format e ndërhyrjes së aktorëve të huaj në debatin publik, rreziqet për proceset demokratike dhe sfidat me të cilat përballet Shqipëria në rrugën drejt integrimit evropian.

Në një video të realizuar në Institutin Francez në Tiranë, ai thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të forcimit të qëndrueshmërisë së shoqërisë ndaj dezinformimit.

“Quhem David Colon dhe jam pedagog dhe kwrkues shkencor nw shkenca politike. Jam autor i disa librave mbi historinë e informacionit dhe specialist në luftën kundër manipulimit të informacionit.

Ajo që quhet manipulim i informacionit dhe ndërhyrje e huaj përfshin operacione përmes të cilave një shtet i huaj ndërhyn në debatin publik të një shteti tjetër, me qëllim manipulimin e perceptimeve ose, në disa raste, ndërhyrjen në proceset zgjedhore.

Këto manipulime të informacionit dhe ndërhyrje të huaja karakterizohen, për shembull, nga përdorimi i llogarive të rreme në rrjetet sociale, nga përdorimi i influencuesve të paguar në mënyrë të fshehtë, si edhe nga përdorimi i agjentëve të ndikimit, të cilët në mënyrë të fshehtë përçojnë një narrativë në debatin publik me qëllim shtrembërimin e tij.

Sot, për shoqëritë civile, ndërhyrjet dhe manipulimet e huaja përbëjnë një sfidë madhore për shkak të përdorimit të inteligjencës artificiale. Kjo është ajo që sot e vendos Shqipërinë në vijën e parë të kësaj lufte globale të informacionit.

Kjo ndodh në një kohë kur aktorë shtetërorë përpiqen të ndërhyjnë në debatin publik shqiptar dhe të shtrembërojnë perceptimin mbi realitetin e këtij debati publik në shkallë globale, me qëllim dobësimin e shanseve të Shqipërisë për t’u integruar në Bashkimin Evropian në vitet e ardhshme.

Prandaj, sot, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe përfshirja e Bashkimit Evropian janë më të domosdoshme se kurrë për të luftuar kundër këtyre operacioneve, për t’i denoncuar publikisht kur kjo është e mundur, por gjithashtu edhe për të forcuar qëndrueshmërinë e shoqërisë shqiptare përballë këtyre ndërhyrjeve të huaja.

Lufta kundër manipulimit të informacionit është, pra, përgjegjësi e të gjithëve”, shprehet Colon.

Top Channel