Instituti francez “Kub France Tirana” ka publikuar një video të historianit dhe studiuesit francez David Colon, i cili ndodhet në Shqipëri për të marrë pjesë në disa aktivitete kushtuar luftës kundër dezinformimit, manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjeve të huaja.
Colon është lektor dhe studiues i historisë në Sciences Po, ku merret me çështje që lidhen me propagandën, bindjen, komunikimin dhe hapësirën digjitale.
Në videon e publikuar, ai shpjegon se manipulimi i informacionit dhe ndërhyrja e huaj përfshijnë operacione përmes të cilave një shtet përpiqet të ndikojë debatin publik të një vendi tjetër, duke manipuluar perceptimet dhe, në raste të caktuara, edhe proceset zgjedhore.
Sipas Colon, këto operacione mund të mbështeten te llogaritë e rreme në rrjetet sociale, influencues të paguar në mënyrë të fshehtë dhe persona që promovojnë narrativa të caktuara pa bërë të ditur lidhjet apo interesat që përfaqësojnë.
“Ajo që njihet si manipulim i informacionit dhe ndërhyrje e huaj përbëhet nga operacione në të cilat një shtet i huaj ndërhyn në debatin publik të një shteti tjetër, me qëllim manipulimin e perceptimeve ose, herë pas here, ndërhyrjen në proceset zgjedhore”, shprehet ai.
Colon e veçon Shqipërinë si një vend që, sipas tij, ndodhet sot në vijën e parë të një përballjeje më të gjerë globale në fushën e informacionit, sidomos për shkak të mundësive të reja që ofron inteligjenca artificiale.
Studiuesi francez shkon më tej, duke pretenduar se aktorë shtetërorë po përpiqen të ndërhyjnë në debatin publik shqiptar dhe të ndikojnë mënyrën se si perceptohet realiteti politik dhe shoqëror në vend.
“Aktorë shtetërorë kërkojnë të ndërhyjnë në debatin publik shqiptar dhe të shtrembërojnë perceptimin e realitetit të atij debati në shkallë globale, me qëllim minimin e mundësive të Shqipërisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian në vitet e ardhshme”, deklaron Colon.
Ai argumenton se përballë këtyre rreziqeve nevojitet bashkëpunim më i madh ndërkombëtar, përfshirje e institucioneve të Bashkimit Evropian dhe denoncim publik i operacioneve të manipulimit kur ato identifikohen.
“Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe përfshirja e Bashkimit Evropian janë më të domosdoshme se kurrë”, shprehet Colon, duke shtuar se duhet të forcohet edhe rezistenca e shoqërisë shqiptare ndaj ndërhyrjeve të huaja.











