Dezinformimi dhe ndërhyrjet e huaja në hapësirën informative paraqiten si një sfidë e rritur për demokracitë, sidomos në epokën e inteligjencës artificiale dhe rrjeteve sociale. Pedagogu dhe studiuesi francez David Colon, specialist në manipulimin e informacionit, sqaroi format e këtyre ndërhyrjeve, rreziqet për proceset demokratike dhe sfidat specifike që përballon Shqipëria në rrugën drejt integrimit evropian.
Colon, autor i disa librave mbi historinë e informacionit dhe kërkues shkencor në shkenca politike, shpjegon se ajo që quhet manipulim i informacionit dhe ndërhyrje e huaj përfshin operacione të shteteve të huaja që synojnë të ndikojnë në debatet publike të vendeve të tjera, me qëllim manipulimin e perceptimeve ose, në raste të caktuara, ndërhyrjen në proceset zgjedhore. Ai përmend metoda konkrete: përdorimin e llogarive të rreme në rrjetet sociale, angazhimin në mënyrë të fshehtë të influencuesve të paguar dhe përdorimin e agjentëve të ndikimit që shpërndajnë një narrativë të fshehtë për të shtrembëruar debatin publik.
Sipas Colon, përshpejtimi i përdorimit të inteligjencës artificiale e bën këtë sfidë edhe më të madhe, duke vendosur Shqipërinë “në vijën e parë” të një lufte globale të informacionit. Ai paralajmëron se aktorë shtetërorë po përpiqen të ndërhyjnë në debatin publik shqiptar dhe të shtrembërojnë perceptimin mbi realitetin e këtij debati në shkallë globale, me qëllim dobësimin e shanseve të vendit për t’u integruar në Bashkimin Evropian në vitet e ardhshme.
Përballë këtyre kërcënimeve, Colon thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfshirjes së Bashkimit Evropian. Sipas tij, duhet të denoncohen publikisht operacionet e dezinformimit kur është e mundur, por edhe të forcohet qëndrueshmëria e shoqërisë shqiptare ndaj ndërhyrjeve të huaja. Ai përmbyll duke nënvizuar se lufta kundër manipulimit të informacionit është përgjegjësi kolektive: “Lufta kundër manipulimit të informacionit është, pra, përgjegjësi e të gjithëve”. Video me këto shpjegime u realizua në Institutin Francez në Tiranë.
