Në Tiranë, auditorët janë mbushur sërish me studentë dhe mësimi po zhvillohet normalisht në disa prej fakulteteve, përfshirë Fakultetin e Ekonomisë, atë të Historisë dhe Filologjisë, si dhe Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Megjithatë, një grup studentësh ka vijuar protestën, duke marshuar nga një universitet në tjetrin dhe duke u bërë thirrje bashkëmoshatarëve të ndërpresin mësimin e t'u bashkohen. Protestuesit u ndalën fillimisht në Universitetin Politeknik, më pas në zonën e Bllokut, në galerinë FAB të Universitetit të Arteve dhe në Fakultetin e Drejtësisë, me thirrjet “Bojkotoni mësimin” dhe “Bashkohuni me ne”.
Ndërkohë, edhe në rrethe situata është normalizuar, pasi mësimi ka rinisur në universitetet ku ishte regjistruar bojkot i pjesshëm, në Elbasan dhe Korçë. Në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, vendimi për rikthimin në auditorë ishte marrë të premten nga Këshilli Studentor, me argumentin se situata e protestave ishte qetësuar edhe në kryeqytet.