“Përtej Tetorit Rozë”, synohet rritja e kontrolleve dhe zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit

Me fillimin e muajit nëntor, Qeveria e Kosovës ka përmbyllur fushatën e “Tetorit Rozë”, muaji për ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit.
Në tryezën “Përtej Tetorit Rozë”, kryeministri Albin Kurti ka shprehur shpresën që shoqëria kosovare të përparojë në vetëdijesimin për rëndësinë e kontrolleve shëndetësore. Sipas tij, institucionet shëndetësore kanë punuar në këtë drejtim, ndërsa tashmë shërbime si mamografia dhe rikonstruktimi i gjirit ofrohen falas.
“Përveç mesazhit ndërgjegjësues të ‘Përtej Tetorit Rozë’, bashkërisht synojmë nxitjen e një kulture të kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin publik, për shëndetin e secilit, si dhe inkurajimin e njëri-tjetrit që të mos e shtyjmë kontrollin... Detyra jonë është të shkurtojmë distancën mes shqetësimit dhe kontrollit, mes diagnozës dhe trajtimit, mes gruas që kërkon ndihmë dhe institucionit që i përgjigjet asaj. Kjo punë nis me ndërgjegjësimin, përmes fushatave që organizojnë Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, si dhe përmes punës së organizatave dhe ndërmarrjeve publike e private… Në këtë drejtim, mamografia tashmë ofrohet falas gjatë gjithë vitit. Gjatë tetorit, mamografi mobil udhëton nëpër qytetet e Kosovës për ta sjellë këtë shërbim edhe më afër grave. Për pacientet që kanë nevojë për trajtim në Onkologji, janë përmirësuar edhe kushtet dhe janë instaluar aparatura të teknologjisë së fundit. Gjithashtu, ofrohet rikonstruktimi i gjirit falas dhe pa pritje”, deklaroi Kurti.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka theksuar se mbi 50 për qind e rasteve të kancerit të gjirit janë diagnostikuar në fazat e hershme, ndërsa ky numër synohet dhe pritet të rritet më tej.
“Tanimë kemi planin e veprimit për screening-un e kancerit të gjirit, i cili ka filluar të implementohet dhe, siç e kemi cekur disa herë gjatë kësaj fushate, vitin e kaluar 53.4 për qind e grave janë diagnostikuar në stadin e parë dhe të dytë të kancerit të gjirit. Sipas informacioneve të institucioneve shëndetësore, deri më tani kjo përqindje pritet të jetë edhe më e lartë në vitin që po përmbyllim. Synimi ynë është që kjo përqindje të rritet akoma, sepse zbulimi i hershëm është mënyra më e mirë, më pak problematike dhe më e lirë për ta mposhtur sëmundjen. Kjo nënkupton ofrimin e mundësive për diagnostikim në të gjithë territorin e Kosovës, me pajisje dhe mundësi për secilën paciente. Natyrisht, vetëkontrolli dhe lajmërimi i hershëm te mjeku janë çelësi i suksesit dhe i diagnostikimit të hershëm”, theksoi ai.
Vitia falënderoi mediat që kanë përcjellë aktivitetet dhe kanë “mundësuar që këto mesazhe të depërtojnë në secilën shtëpi” në Kosovë.
Ai e cilësoi si “jetik” bashkëpunimin në betejën kundër kancerit të gjirit, duke përmendur përfaqësuesit e nivelit komunal, Bujar Gashin, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Prishtinë, dhe Albana Gashin, drejtoreshë e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Fushë Kosovë, si dhe Shoqatën Jeta Vita, të drejtuar nga Nafije Latifi, dhe të gjithë akterët e tjerë që kontribuuan në këtë fushatë.
Gjatë muajit tetor, edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, kishte bërë thirrje për kujdes më të shtuar ndaj shëndetit të grave dhe kryerjen e kontrolleve të rregullta mjekësore, me qëllim të zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit. /KP/









































