Një aeroplan biznesi është përplasur në një lagje në Florida, duke shkaktuar vdekjen e të nëntë personave që ndodheshin në bord.

Aeroplani i tipit "Learjet" u shndërrua në një top të madh zjarri në një zonë banimi pranë Cresthaven, rreth orës 12:50 me orën lokale të dielën.


Sekretari i Transportit, Sean Duffy, konfirmoi se të nëntë personat në bord kanë humbur jetën, duke e cilësuar ngjarjen si një "tragjedi të tmerrshme".

Ai u shpreh: "Ju lutem, bashkohuni me mua në lutje për familjet dhe të dashurit e atyre që humbëm".

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, aeroplani ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar Austin-Bergstrom në Teksas dhe po shkonte drejt Aeroportit North Eleuthera në Bahamas.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, deklaroi se nuk ka pasur raportime të menjëhershme për persona të lënduar apo të vrarë në tokë.

Rrethanat e përplasjes janë ende nën hetim.

"Ishte një përplasje katastrofike", u tha gazetarëve DeSantis në vendngjarje. "Dukej si një raketë që binte poshtë dhe la një krater të madh në anë të rrugës".

Ai shtoi se kishte shumë mbetje të shpërndara në një "distancë të konsiderueshme".

Pamjet treguan gjithashtu dëmtime në një pjesë të rrugës, si dhe flakë në tokë.

Ndërkohë, në pamjet e përplasjes, aeroplani shihet duke rënë me hundë poshtë dhe duke shpërthyer në një top gjigant zjarri pranë një rruge kryesore, vetëm pak centimetra larg automjeteve që kalonin, duke shmangur për pak shtëpitë aty pranë.

Siç bëhet e ditur më tej, aeroplani po fluturonte drejt lindjes në një lartësi prej rreth 10,600 metra, kur pilotët raportuan turbulenca, duke kërkuar të ngjiteshin edhe 2,000 këmbë (rreth 600 metra) më lart.

Pak çaste më vonë, aeroplani hyri në një rënie të pjerrët, duke e çuar shpejtësinë përtej kufijve të projektimit të tij, sipas regjistrimeve të kontrollit të trafikut ajror dhe të dhënave të gjurmimit të fluturimit.

"Po zbresim 8,000 – 'mayday', 'mayday' – po zbresim me shpejtësi 10,000 këmbë (rreth 3,000 metra) në minutë", raportoi piloti përmes radiolidhjes.

"Do të përplasemi në tokë".

Rreth 35 sekonda pas thirrjes së parë të alarmit ("mayday"), fjalët e fundit të dëgjuara nga kabina e pilotëve ishin: "nuk na ka mbetur më kohë".

E Jim Reynolds, zëdhënës i Aeroportit Ndërkombëtar Austin-Bergstrom, tha se aeroplani ishte privat, por nuk mundi të jepte menjëherë detaje se kush ndodhej në bord.

Shërbimi Kombëtar i Motit njoftoi se të dielën rajoni u përfshi nga reshje të dendura shiu, ndërsa një paralajmërim për përmbytje mbeti në fuqi deri të hënën pasdite.

Një grua që punonte aty pranë tregoi se, pas rrëzimit të aeroplanit, zona mbeti pa energji elektrike për rreth dy orë. /Telegrafi/