Kryeministri i Belgjikës, Bart De Uever, pritet t’i paraqesë dorëheqjen e qeverisë mbretit Philippe, pas dështimit të negociatave për buxhetin e vendit.
Sipas raportimeve të mediave lokale, De Uever do të zhvillojë një takim me mbretin këtë të hënë në orën 09:30, ku pritet të komunikojë vendimin e tij pas bisedimeve të dështuara me kabinetin qeveritar. Negociatat vijuan gjatë gjithë natës, por përfaqësuesit e qeverisë nuk arritën të gjenin një kompromis për planin e kursimeve dhe mënyrën sesi do të realizohen shkurtimet e nevojshme në shpenzimet publike.
Në qendër të mosmarrëveshjeve është detyrimi i Belgjikës për të kursyer rreth 10 miliardë euro, në mënyrë që të respektojë kufijtë e shpenzimeve dhe rregullat fiskale të Bashkimit Europian. Ky objektiv ka vënë nën presion koalicionin qeverisës, pasi masat për realizimin e kursimeve kërkojnë marrëveshje politike mbi mënyrën e shpërndarjes së barrës financiare.
Megjithatë, bisedimet e zhvilluara deri në orët e para të mëngjesit nuk prodhuan rezultat, duke e çuar vendin drejt një krize të re politike. Paraqitja e dorëheqjes do t’i kalojë tashmë mbretit Philippe, i cili do të duhet të shqyrtojë hapat e mëtejshëm për të përcaktuar rrugën e daljes nga ngërçi qeveritar.
Ndërkohë, dështimi për të miratuar një marrëveshje buxhetore shton pasigurinë për drejtimin ekonomik dhe politik të Belgjikës në një moment kur vendi përballet me presionin për të ulur deficitin dhe për të përmbushur detyrimet ndaj Bashkimit Europian.












