Sulm kibernetik edhe ndaj supermarketeve në Suedi, hakerat çojnë temperaturën e frigoriferëve në 70 gradë
Disa prej supermarketeve të rrjeteve të mëdha tregtare ICA dhe Coop në Suedi janë goditur nga sulme kibernetike, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe kanë detyruar mbylljen e përkohshme të disa pikave të shitjes.
Sulmet ndodhën mes mbrëmjes së së dielës, 1 nëntor, dhe mëngjesit të së hënës, 2 nëntor. Sipas raportimeve të mediave lokale, hakerat arritën të ndërhyjnë nga distanca në sistemet e kontrollit të frigoriferëve dhe ngrirësve, duke rritur temperaturën e tyre deri në 70 gradë.
Si pasojë, mijëra produkte ushqimore që ruheshin në këto pajisje u ekspozuan ndaj temperaturave të papërshtatshme, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme ekonomike.
Një metodë e ngjashme sulmi ishte përdorur më parë edhe në Francë. Ndërkohë, sulme të tilla janë raportuar njëkohësisht edhe në Belgjikë dhe Luksemburg.
Sipas disa gazetave suedeze, dëmet financiare vlerësohen në qindra mijëra korona. Përveç sistemeve të ftohjes, dyshohet se janë prekur edhe sistemet e arkave, megjithëse ende nuk është konfirmuar nëse ky problem lidhet drejtpërdrejt me sulmin kibernetik.
Kompania ka njoftuar mbylljen e përkohshme të disa prej dyqaneve të saj dhe u ka kërkuar ndjesë klientëve. Ajo bëri të ditur se po punon për rikthimin e funksionimit normal të sistemeve dhe pikave të shitjes.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





