E hënë, 2 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kujdes çfarë klikoni! Nëse bëni këtë veprim mund t’ju boshatisin llogarinë bankare
Lajme

Kujdes çfarë klikoni! Nëse bëni këtë veprim mund t’ju boshatisin llogarinë bankare

Një tjetër tentativë për të mashtruar qytetarët përmes internetit është konstatuar në Shqipëri, ku persona të paidentifikuar po përdorin emrin e Raiffeisen Bank për të krijuar komunikime të rreme dhe për të përvetësuar të dhënat financiare të klientëve.

Rastet janë sinjalizuar përmes disa mesazhe që imitojnë komunikimet e një institucioni bankar. Përmbajtja e tyre është ndërtuar në mënyrë të tillë që të krijojë panik te marrësit, duke i paralajmëruar për probleme të mundshme me shërbimet bankare nëse nuk kryejnë menjëherë një veprim të kërkuar.

Në thelb, bëhet fjalë për një kurth digjital: qytetarëve u kërkohet të ndjekin një adresë interneti të bashkëngjitur në mesazh, me justifikimin se duhet të konfirmojnë identitetin ose të përditësojnë informacionet e tyre.

Pikërisht në këtë pikë nis rreziku. Lidhjet e dërguara mund të hapin faqe që imitojnë pamjen e platformave bankare, por që nuk kanë lidhje me shërbimet autentike të bankës. Përdoruesve u kërkohet të plotësojnë informacione që nuk duhet t’ia dorëzojnë askujt, përfshirë të dhënat e kartës dhe kodet e verifikimit që përdoren për autorizimin e veprimeve financiare.

Kjo teknikë njihet si “smishing” dhe mbështetet te mashtrimi i marrësit përmes mesazheve, duke e orientuar atë drejt një faqeje të falsifikuar. Objektivi është sigurimi i të dhënave që më pas mund të shfrytëzohen për të hyrë në llogaritë bankare ose për të kryer transaksione në emër të viktimës.

Pra, një klikim i nxituar dhe plotësimi i informacioneve në një faqe të rreme mund t’u japë mashtruesve mundësinë të përpiqen të marrin kontrollin mbi fondet e qytetarëve.

Si të mos bini pre e mashtrimit?

Klientët duhet të tregojnë kujdes ndaj çdo mesazhi që kërkon veprime urgjente për llogarinë bankare, veçanërisht kur shoqërohet me kërcënime për bllokim ose pezullim të shërbimeve.

Asnjë lidhje e ardhur nga një mesazh i papritur nuk duhet hapur pa u verifikuar më parë. Po ashtu, të dhënat e kartës bankare dhe kodet njëpërdorimëshe nuk duhet të vendosen në faqe të panjohura apo t’u komunikohen personave të tjerë.

Në rast dyshimi, verifikimi duhet të bëhet duke kontaktuar drejtpërdrejt bankën përmes numrave dhe kanaleve të saj zyrtare. Ndërsa personat që kanë plotësuar tashmë të dhënat në një faqe të dyshimtë duhet të njoftojnë menjëherë bankën, në mënyrë që të merren masa për mbrojtjen e llogarisë dhe bllokimin e mundshëm të kartës.

Përdorimi i emrit të një banke të njohur tregon se mashtruesit po shfrytëzojnë besimin e klientëve për t’i bërë ata të ulin vigjilencën. Në këto raste, rreziku nuk qëndron vetëm te mesazhi që mbërrin në telefon, por te informacioni që qytetarët mund të dorëzojnë pasi ndjekin udhëzimet e tij.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.