OpenAI mund t’i riemërtojë qendrat e saj të të dhënave si “kampuse të kapacitetit kompjuterik”

Qendrat e të dhënave janë bërë gjithnjë e më të papëlqyera në Shtetet e Bashkuara. Por a mund të ndryshojë perceptimi i publikut nëse ato marrin një emër tjetër?
Sipas një raportimi të Axios, OpenAI po përgatit një fushatë të gjerë komunikimi që pritet të nisë pas zgjedhjeve të ndërmjetme amerikane të 3 nëntorit. Kjo lëvizje vjen në një kohë kur demokratët shihen si pretendentë për të rimarrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe, potencialisht, edhe të Senatit.
Chris Lehane, drejtuesi i çështjeve globale në OpenAI, ka deklaruar për Axios se zgjedhjet e ndërmjetme do të shërbejnë si një parapërgatitje për atë që pritet të ndodhë në vitin 2028, kur inteligjenca artificiale mund të kthehet në një nga temat kryesore të zgjedhjeve presidenciale.
Për këtë arsye, OpenAI synon të ndikojë në mënyrën se si do të zhvillohet debati publik dhe politik për inteligjencën artificiale.
Ndër propozimet që po diskutohen përfshihen vendosja e kufijve për zhvillimin dhe përdorimin e sistemeve të avancuara të inteligjencës artificiale, nxitja e perceptimit se kjo teknologji mund t’i fuqizojë njerëzit në jetën e përditshme, si dhe një rol më aktiv i SHBA-së në hartimin e standardeve ndërkombëtare.
Një tjetër ide është ndryshimi i emërtimit të qendrave të të dhënave në “kampuse të kapacitetit kompjuterik për inteligjencën artificiale” (AI compute campuses).
Kjo nismë vjen në një periudhë kur ndërtimi i qendrave të mëdha të të dhënave po përballet me kundërshtime nga komunitetet lokale, për shkak të shqetësimeve lidhur me konsumin e energjisë, ndikimin mjedisor dhe përfitimet ekonomike për banorët.
Debati ka nxitur edhe kompani si Amazon dhe Microsoft të deklarojnë se nuk do të përdorin më marrëveshje konfidencialiteti gjatë negociatave me autoritetet vendore për projekte të tilla.
Lehane e ka cilësuar debatin publik mbi qendrat e të dhënave si të nevojshëm dhe të shëndetshëm, duke theksuar se komunitetet duhet t’u kërkojnë kompanive përgjegjësi dhe përfitime konkrete nga investimet që realizohen në territoret e tyre.
Në thelb, strategjia e OpenAI synon jo vetëm të ndryshojë terminologjinë, por edhe të ndikojë në mënyrën se si publiku i percepton investimet infrastrukturore që mbështesin zhvillimin e inteligjencës artificiale./ TECHCRUNCH
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









