Deputeti demokrat Kliti Hoti, i cili ishte edhe përfaqësuesi i vetëm në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, është përfshirë në debat me kryetaren Anila Denaj dhe është larguar nga salla.

Debati mes tyre nisi pasi Hoti, me të marrë fjalën, nisi të fliste për protestën, duke ngritur pretendime për dhunë nga Policia mbi protestuesit. Nga ana tjetër, Denaj i ka kërkuar që të fliste për Buxhetin 2027 dhe për rininë, pra të fokusohej te çështja e ditës.

Pas disa minutash debat, Hoti është larguar nga Komisioni, duke lënë opozitën pa asnjë përfaqësues aty.

Hoti: Me rregull treshi, buxheti i vitit 2027 në krahasim me atë të vitit 2026, me rregull treshi është rritur ¾ e 1%. Ideja është që njerëzit po rrihen për çdo ditë. Ne diskutojmë këtu për staruppet, inovacionin dhe të ardhmen. Ne e dimë shumë mirë kush i ka marrë startuppet. Kjo rini ka përfunduar në rrugë sepse nuk sheh të ardhmen, nuk sheh një vizion. Fjala meritokraci është përdhunuar dhe nuk mund të përdoret më si fjalë. Legjitimiteti i Parlamentit na ka sjellë në këtë pikë. Unë kam shkuar edhe te paraburgimi, janë njerëz që...

Denaj: I nderuar ishim te buxheti. Kur të shkojmë te ajo çështje, do thërrasim ministrin përgjegjës për rendin dhe e trajtojmë këtë çështje.

Hoti: Fakti që ata dalin përditë atje dhe rrihen në mënyrë joproporcionale nga Policia... Nëse do të ishit ju.

Denaj: Zoti Hoti a ka mundësi të fokusoheni, apo jeni i papërgatitur për këtë çështje sot.

Hoti: Nuk është kjo mënyra... ta garantoj se kjo lloj mënyre na ka çuar deri këtu.

Debaj: Ju vini këtu dhe flisni për protestën. Duhet të bëni propozime për rininë.

Në përfundim, me votat e mazhorancës u miratua projektligji “për buxhetin e vitit 2027” për fushat e përgjegjësisë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.


Lajmi kryesor:

Pr.buxheti 2027/ Maratonë diskutimesh në 7 komisione, miratohet në parim te ‘Ligjet’! 10.7 mld euro për pensione, shëndetësi, arsim, infrastrukturë e mbrojtje