“Rrebeshe shiu dhe dëborë në zonat malore”, meteorologia: Nga e mërkura vjen i ftohti

2 Nëntor 2026 | 10:15

Reshje shiu, në disa zona edhe në formën e rrebesheve, si dhe dëborë në zonat e thella malore. Kjo është situata meteorologjike që pritet të mbizotërojë në vendin tonë gjatë dy ditëve të para të javës, ndërsa nga e mërkura moti do të përmirësohet, por temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme.

E ftuar në “Now” me Esmeralda Mulajn, meteorologia e Meteoalb, Lajda Porja, tha se reshjet do të nisin që këtë të hënë pasdite, me intensitet më të lartë në jug dhe juglindje të vendit, ndërsa në veri dhe në qendër priten reshje më të pakta.

Sipas saj, dita e martë do të jetë e paqëndrueshme përgjatë gjithë 24-orëshit, me vranësira dhe reshje shiu, të shoqëruara herë pas here me rrebeshe. Reshje dëbore parashikohen në zonat e thella malore, kryesisht në verilindje, por edhe në zonat e thella të juglindjes.

“Dita e martë do të jetë e paqëndrueshme pothuajse përgjatë gjithë 24-orëshit, ku do të ketë vranësira dhe reshje, herë pas here do të ketë rrebeshe. Madje, presim që nesër të kemi reshje dëbore në zonat e thella malore, kryesisht në verilindje”, u shpreh Porja.

Meteorologia bëri të ditur se reshjet do të vijojnë deri të martën në mbrëmje, ndërsa në Tiranë priten rrebeshe kryesisht nga mesdita deri në orët e vona të mbrëmjes. Në zonat bregdetare të jugut, veçanërisht në jugperëndim dhe në brigjet e Vlorës, reshjet do të shoqërohen edhe me erë të fortë dhe dallgëzim.

Porja theksoi se ky episod me reshje do të jetë i shkurtër dhe se nga e mërkura do të ketë një përmirësim të theksuar të kushteve atmosferike. Moti pritet të jetë kryesisht i kthjellët deri në fundjavë, por nën ndikimin e masave ajrore të thata dhe të ftohta.

“Do të kemi masa ajrore të cilat janë të thata, por të ftohta. Nga e mërkura dhe deri në fundjavë presim që moti të ftohet, sidomos në orët e para të mëngjesit, duke na bërë të përjetojmë disa nuanca dimri në mëngjes, edhe pse jemi ende në vjeshtë”, deklaroi meteorologia.

Sipas parashikimit, temperaturat maksimale gjatë së hënës dhe së martës nuk pritet të kalojnë 22°C, ndërsa nga e mërkura temperaturat minimale në zonat malore do të zbresin deri në zero ose lehtësisht nën zero, duke arritur deri në -1°C. Në mesditë, temperaturat do të luhaten rreth 21-22°C, pranë vlerave normale klimatike për këtë periudhë.

Një tjetër element që do të ndikojë në ndjesinë e të ftohtit do të jetë era, e cila do të fryjë kryesisht nga lindja dhe verilindja. Sipas Porjas, ajo do të jetë mbi mesataren dhe do të ndihet veçanërisht në orët e mëngjesit dhe në mbrëmje.

Reshje dëbore edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut

Sa i përket rajonit, meteorologia parashikoi reshje dëbore në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, kryesisht gjatë natës dhe ditës së martë. Reshjet më të shumta priten në Maqedoninë e Veriut, ndërsa në Kosovë parashikohen reshje më të pakta.

Në Kosovë, temperaturat minimale pritet të zbresin në -1 deri në -2°C, ndërsa ato maksimale nuk do të kalojnë 14°C. Ndërkohë, në disa zona të Maqedonisë së Veriut, përfshirë Kumanovën dhe Tetovën, termometri pritet të shënojë zero ose -1°C, duke krijuar kushte për reshje dëbore.

Porja bëri të ditur se edhe në këto dy vende, nga mesi i javës pritet përmirësim i motit, me largimin e sistemeve të vranësirave. Megjithatë, temperaturat e ulëta dhe lagështira do të bëjnë që i ftohti të ndihet më shumë, veçanërisht në mëngjes.

Sipas meteorologes, nga e mërkura deri të premten, mëngjeset në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut do të kenë karakteristika tipike dimërore, pavarësisht se kalendari shënon ende stinën e vjeshtës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zgjedhjet e 11 majit 2025, KQZ kërkon gjoba ndaj disa partive politike për shkelje të financimeve

Komisioneri i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) për vendosjen e sanksioneve administrative ndaj disa partive...
12:19 | 02/11/2026

Protesta, të rinjtë futen në Universitetin e Arteve dhe në Fakultetin e Drejtësisë, bojkotojnë mësimin studentët e Gjuhëve të Huaja

Ka nisur dita e 21 e protestës së studentëve, teksa të rinjtë vijojnë thirrjet për bojkotim të mësimit. Një grup protestuesish është futur në ambientet...
11:58 | 02/11/2026

Homazhe për Bashkim Zenelin, Paskal Milo: Mbetet një nga figurat më të shquara të diplomacisë shqiptare

Në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë po zhvillohen homazhet në nderim të diplomatit Bashkim Zeneli, ku të pranishëm janë familjarë, miq dhe personalitete të jetës...
11:47 | 02/11/2026