Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha prezantoi në Komisionin Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme projektbuxhetin e vitit 2027, të cilin e përshkroi si një investim në kapacitetin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe përgatitjen për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Hoxha theksoi se viti 2027 është kyç për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit dhe kërkon përputhje midis ambicies politike dhe kapaciteteve shtetërore dhe diplomatike. Projektbuxheti synon, veç tjerash, forcimin e misionit pranë BE-së dhe zgjerimin e rrjetit diplomatik.
Prioritetet e Ministrisë së Jashtme për 2027 përfshijnë integrimin europian dhe përmbylljen e kapitujve negociues, me qëllim përmbushjen e detyrimeve të mbetura dhe sigurimin e mbështetjes së shteteve anëtare për anëtarësim brenda kësaj dekade. Në fushën e sigurisë euroatlantike, Shqipëria do të vijojë kontributin në sigurinë kolektive të NATO-s, misionet dhe operacionet e Aleancës, si dhe bashkëpunimin në mbrojtje, inteligjencë dhe siguri kibernetike, duke adresuar kërcënimet hibride dhe dezinformimin në koordinim me aleatët.
Sa i takon rajonit, qeveria do të forcojë koordinimin me Kosovën dhe angazhimin për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës, si dhe mbështetjen për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, projektet ndërkufitare dhe nismat rajonale, përfshirë Procesin e Berlinit. Në nivel bilateral, prioriteti është thellimi i partneriteteve strategjike me SHBA, Italinë, Gjermaninë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Turqinë, si dhe dialogu me Greqinë dhe partnerë të tjerë përmes vizitave të larta, konsultimeve politike dhe marrëveshjeve sektoriale.
Diplomacia shumëpalëshe do të vijojë angazhimin në OKB, OSBE dhe Këshillin e Europës për çështje të sigurisë, të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke promovuar nisma, kandidatura dhe diplomacinë publike dhe digjitale. Diplomacia ekonomike do të synojë tërheqjen e investimeve të huaja, promovimin e eksporteve dhe turizmit, mbështetjen e bizneseve shqiptare në tregjet e jashtme dhe aktivizimin e potencialit ekonomik të diasporës.
Plani përfshin zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2026–2030 dhe nisma për mësimin e gjuhës shqipe, modernizimin e shërbimeve konsullore dhe zhvillimin e një asistenti virtual 24/7. Fuqizimi institucional përfshin kuadrin e ri ligjor, profesionalizimin e karrierës diplomatike, forcimin e Akademisë Diplomatike dhe krijimin e Agjencisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Ndihmës Humanitare. Projektbuxheti i MEPJ për 2027 është 3.9 miliardë lekë, rreth 40 milionë euro. Burimi: Top Channel.
