• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, November 2, 2026
  • Login
JavanewsJavanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
JavanewsJavanews
Home Bota

Analiza/ Beteja për Kongresin, test për Trumpin

by Java News
02/11/2026 12:41
Analiza/ Beteja për Kongresin, test për TrumpinAnaliza/ Beteja për Kongresin, test për Trumpin

Foto: Botë

Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Zgjedhjet e 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara mund të ndryshojnë raportin e forcave në Uashington dhe të ndikojnë në dy vjetët e mbetur të presidencës së Donald Trumpit.

Amerikanët votojnë nesër për përbërjen e re të Kongresit.

Edhe pse Trump nuk është në fletëvotim, rezultati do të jetë një test i rëndësishëm për presidencën e tij dhe për mundësinë e zbatimit të agjendës politike.

Republikanët synojnë të ruajnë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, ndërsa demokratët përpiqen të marrin kontrollin e të paktën njërës prej tyre. Kjo do t’u jepte demokratëve më shumë mundësi të pengojnë nismat legjislative të presidentit dhe të ushtrojnë mbikëqyrje ndaj administratës së tij.

Zgjedhjet zhvillohen në një kohë kur kostoja e jetesës, gjendja e ekonomisë dhe imigracioni janë ndër shqetësimet kryesore të votuesve amerikanë.

Sipas një sondazhi të Reuters/Ipsos, të zhvilluar nga 22 deri më 26 tetor, 53 për qind e votuesve që pritet të marrin pjesë në zgjedhje, mbështesin kandidatët demokratë, kundrejt 44 për qind që mbështesin republikanët.

Megjithatë, epërsia në nivel kombëtar nuk garanton fitore, pasi shumica në Kongres do të përcaktohet nga rezultatet në garat e veçanta zgjedhore.

Interesimi për zgjedhjet është reflektuar edhe në votimin e hershëm.

Sipas të dhënave të Universitetit të Floridës, të raportuara më 1 nëntor, mbi 54 milionë amerikanë kanë votuar para ditës së zgjedhjeve.

Për çfarë votojnë amerikanët?

Zgjedhjet e mesmandatit mbahen çdo katër vjet, në gjysmën e mandatit të presidentit amerikan.

Në këto zgjedhje nuk votohet për presidentin, por për anëtarët e Kongresit – institucionit që miraton ligje, vendos për shpenzimet federale dhe mbikëqyr punën e administratës.

Kongresi përbëhet nga dy dhoma: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, ku anëtarët zgjidhen çdo dy vjet, në garë janë të 435 vendet.

Në Senat, ku anëtarët kanë mandate gjashtëvjeçare, këtë vit votohet për 35 nga 100 vendet. Prej tyre, 33 janë pjesë e zgjedhjeve të rregullta, ndërsa dy të tjera, në Florida dhe Ohajo, janë zgjedhje të posaçme për të plotësuar mandatet e senatorëve që u larguan para kohe.

Amerikanët votojnë gjithashtu për guvernatorë në 36 shtete dhe tri territore amerikane, si dhe për anëtarë të legjislaturave shtetërore dhe zyrtarë të tjerë lokalë.

Çfarë është në lojë për republikanët dhe demokratët?

Republikanët kontrollojnë aktualisht të dyja dhomat e Kongresit, duke i dhënë Trumpit mbështetje për të çuar përpara agjendën e tij legjislative.

Në Senat, republikanët kanë 53 vende, demokratët 45, ndërsa dy senatorë të pavarur bashkëpunojnë me demokratët. Për të marrë shumicën, demokratëve u duhet të fitojnë të paktën katër vende neto shtesë.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, ku nevojiten 218 vende për shumicën kur të gjitha vendet janë të plotësuara, epërsia e republikanëve është më e ngushtë.

Ndër garat që mund të ndikojnë në përcaktimin e shumicës në Senat janë ato në Maine, Miçigan, Karolinën e Veriut, Ohajo, Teksas dhe Alaskë.

Demokratët synojnë të përfitojnë nga pakënaqësitë ndaj administratës Trump, ndërsa republikanët kërkojnë mbështetje për vazhdimin e politikave të presidentit.

Pse zgjedhjet konsiderohen test për Trumpin?

Zgjedhjet e mesmandatit shihen tradicionalisht si një test për presidentin amerikan, pasi u japin votuesve mundësinë të shprehin qëndrimin e tyre ndaj politikave të tij.

Historikisht, partia e presidentit shpesh humbet vende në Kongres gjatë këtyre zgjedhjeve.

Këtë vit, Trump është një faktor i rëndësishëm në vendimin e votuesve.

Sipas një sondazhi të Qendrës Kërkimore Pew, 63 për qind e votuesve të regjistruar thonë se presidenti është faktor në votën e tyre për Kongresin.

Nga të gjithë votuesit e regjistruar të anketuar, 44 për qind thonë se vota e tyre është kundër Trumpit, ndërsa 19 për qind se është në mbështetje të tij.

Ekonomia, ndërkohë, mbetet në krye të shqetësimeve.

I njëjti sondazh, i zhvilluar nga 28 shtatori deri më 4 tetor, tregon se 84 për qind e votuesve të regjistruar e konsiderojnë atë shumë të rëndësishme për votën e tyre.

Kostoja e jetesës, përfshirë çmimet e ushqimeve, banimit, energjisë dhe kujdesit shëndetësor, ka qenë në qendër të debatit elektoral.

Një tjetër çështje që ndan dy partitë është imigracioni.

Republikanët mbështesin politikat e ashpra të administratës Trump për kontrollin e kufijve, ndërsa demokratët kritikojnë mënyrën e zbatimit të tyre dhe pasojat për imigrantët.

Edhe lufta me Iranin ka hyrë në debatin zgjedhor, veçanërisht për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve dhe pakënaqësive me mënyrën se si administrata Trump e ka menaxhuar konfliktin.

Për Trumpin, rezultati do të jetë një tregues i mbështetjes për presidencën e tij, por edhe një faktor që mund t’ia lehtësojë ose vështirësojë zbatimin e politikave gjatë pjesës së mbetur të mandatit.

Çfarë ndodh nëse demokratët fitojnë kontrollin e Kongresit?

Nëse demokratët marrin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ata do të kenë më shumë mundësi të bllokojnë nismat legjislative të Trumpit dhe të ushtrojnë mbikëqyrje ndaj administratës së tij.

Ata do të mund të drejtojnë komisionet parlamentare, të nisin hetime, të kërkojnë dokumente dhe të thërrasin zyrtarë për të dëshmuar.

Dhoma e Përfaqësuesve ka gjithashtu kompetencën të ngrejë akuza ndaj presidentit në kuadër të procedurës së njohur si ‘impeachment’. Më pas, Senati vendos nëse presidenti duhet të largohet nga detyra – gjë që kërkon votat e dy të tretave të senatorëve të pranishëm.

Nëse demokratët fitojnë shumicën në Senat, ata do të kenë mundësi të bllokojnë ose të vonojnë konfirmimin e emërimeve presidenciale, përfshirë gjyqtarët federalë dhe zyrtarët e lartë të administratës.

Nëse dy dhomat e Kongresit kontrollohen nga parti të ndryshme, miratimi i ligjeve mund të bëhet më i vështirë, duke e shtyrë Shtëpinë e Bardhë të kërkojë marrëveshje me opozitën.

Edhe nëse republikanët humbin kontrollin e Kongresit, Trump do të mbetet president dhe do të vazhdojë të ushtrojë kompetencat e tij ekzekutive. Megjithatë, do të ketë më pak hapësirë për nismat që kërkojnë miratimin e ligjvënësve.

Çfarë mund të ndryshojë për Evropën dhe Kosovën?

Rezultati i zgjedhjeve mund të ketë ndikim edhe përtej Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në marrëdhëniet me aleatët dhe në çështjet e sigurisë.

Kongresi ka rol të rëndësishëm në miratimin e fondeve për mbrojtjen dhe ndihmën e jashtme.

Një ndryshim i shumicës në njërën ose të dyja dhomat mund të ndikojë në vendimet për mbështetjen ndaj Ukrainës, angazhimin amerikan në NATO dhe marrëdhëniet me Evropën.

Megjithatë, presidenti amerikan ruan kompetenca të gjera në drejtimin e politikës së jashtme dhe në komandimin e forcave të armatosura.

Për Kosovën, rëndësia e këtyre zgjedhjeve lidhet kryesisht me angazhimin amerikan për sigurinë në rajon, përfshirë praninë e trupave amerikane në kuadër të KFOR-it, si dhe me mbështetjen diplomatike për Ballkanin Perëndimor.

Kongresi mund të ndikojë në këto çështje përmes financimit, legjislacionit dhe mbikëqyrjes së administratës. Por, ndryshimi i shumicës nuk do të nënkuptonte automatikisht ndryshim të politikës amerikane ndaj Kosovës.

Ndikimi konkret do të varet nga prioritetet e administratës Trump dhe vendimet e Kongresit të ri, mandati i të cilit nis më 3 janar 2027./REL

The post Analiza/ Beteja për Kongresin, test për Trumpin appeared first on Euronews Albania.

Burimi: Botë

Next Post
Dy ndryshime të reja për pensionet në Shqipëri duke filluar nga 1 janari 2027

Dy ndryshime të reja për pensionet në Shqipëri duke filluar nga 1 janari 2027

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Dy ndryshime të reja për pensionet në Shqipëri duke filluar nga 1 janari 2027

Dy ndryshime të reja për pensionet në Shqipëri duke filluar nga 1 janari 2027

November 2, 2026
Analiza/ Beteja për Kongresin, test për Trumpin

Analiza/ Beteja për Kongresin, test për Trumpin

November 2, 2026
Iotova fiton balotazhin! Kush është Presidentja pro-ruse e Bullgarisë

Iotova fiton balotazhin! Kush është Presidentja pro-ruse e Bullgarisë

November 2, 2026
Zgjedhjet në 5 bashki, KQZ njofton hapat për plotësimin e fletës së votimit

Shkelje me financimet e fushatës së 11 majit, Celibashi kërkon gjoba deri në 2 milionë lekë për 13 parti (LISTA)

November 2, 2026
Berisha pranon ndikimin në bojkotin e universiteteve dhe gjimnazeve: Të rinjtë demokratë luajtën rol të madh

Berisha pranon ndikimin në bojkotin e universiteteve dhe gjimnazeve: Të rinjtë demokratë luajtën rol të madh

November 2, 2026
“Binance”, tërheqje masive prej 3.6 miliardësh brenda pak orësh pas grabitjes më të madhe të kriptomonedhave

“Binance”, tërheqje masive prej 3.6 miliardësh brenda pak orësh pas grabitjes më të madhe të kriptomonedhave

November 2, 2026
Punësimi i ekselentëve, thirrja e dytë në muajt gusht-shtator

Thyhet bojkoti në universitete, studentët rikthehen në auditore pas më shumë se dy javësh

November 2, 2026
Zelensky kushtëzon ndalimin e sulmeve ndaj rafinerive ruse me raketat Patriot

Zelensky kushtëzon ndalimin e sulmeve ndaj rafinerive ruse me raketat Patriot

November 2, 2026
Me shall të zi dhe kokore në kokë, ja si ishte veshur grabitësi i bankës te Komuna e Parisit

Me shall të zi dhe kokore në kokë, ja si ishte veshur grabitësi i bankës te Komuna e Parisit

November 2, 2026
Kriza e buxhetit, drejt rënies qeveria e Belgjikës

Kriza e buxhetit, drejt rënies qeveria e Belgjikës

November 2, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In