Monday / November 2 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Bota Europa

Rritja e industrisë në Eurozonë ngadalësohet në tetor, por mbetet e qëndrueshme

Share Share Icon

Aktiviteti në industrinë përpunuese të Eurozonës vijoi të rritet me ritme të qëndrueshme në tetor, megjithëse rritja u ngadalësua për shkak të dobësimit të porosive të reja dhe shtimit të kostove të energjisë e ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimit, të cilat ushtruan presion mbi marzhet e fitimit të kompanive, sipas një ankete të publikuar të hënën.

Indeksi i Menaxherëve të Blerjeve (PMI) për industrinë përpunuese të Eurozonës, i përpiluar nga S&P Global, ra në 52.7 pikë në tetor, nga 52.9 pikë në shtator, kur kishte arritur nivelin më të lartë që prej majit 2022. Megjithatë, treguesi rezultoi mbi vlerësimin paraprak prej 52.4 pikësh. Vlerat mbi 50 pikë sinjalizojnë zgjerim të aktivitetit ekonomik.

Të dhënat sugjerojnë se prodhuesit europianë po arrijnë t’u rezistojnë tarifave tregtare, konflikteve dhe rritjes së fortë të kostove të energjisë. Megjithatë, shtrenjtimi i lëndëve të para dhe materialeve të prodhimit po shton presionin mbi Bankën Qendrore Europiane (BQE) për të rritur sërish normat e interesit.

“Një tjetër rezultat i qëndrueshëm i indeksit PMI zgjat periudhën më të mirë të rritjes së industrisë përpunuese të Eurozonës në më shumë se katër vitet e fundit”, deklaroi Chris Williamson, kryeekonomist për biznesin në S&P Global Market Intelligence.

“Rritja e vazhdueshme e regjistruar që prej shkurtit ofron një panoramë inkurajuese të qëndrueshmërisë së sektorit të industrisë përpunuese, i cili është përballur me vështirësi të shkaktuara nga tarifat tregtare dhe konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, veçanërisht nga rritja e kostove dhe problemet e furnizimit që ato kanë shkaktuar”, shtoi ai.

Kontratat e së ardhmes për naftën bruto janë tregtuar mbi 116 dollarë për fuçi, rreth 60% më shtrenjtë krahasuar me nivelet përpara luftës me Iranin.

Banka Qendrore Europiane i la të pandryshuara normat e interesit javën e kaluar, në përputhje me pritshmëritë. Megjithatë, ekonomistët e anketuar nga Reuters muajin e kaluar parashikuan se institucioni do t’i rriste sërish normat në dhjetor. Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, njoftoi gjithashtu se do të largohej nga detyra në shkurtin e ardhshëm.

Porositë e reja totale për fabrikat, një tregues kyç i kërkesës, u rritën me ritme më të ngadalta gjatë tetorit, ndonëse porositë për eksport shënuan rritjen më të fortë në më shumë se katër vjet e gjysmë.

Gjashtë nga tetë vendet e Eurozonës të përfshira në anketë regjistruan zgjerim të aktivitetit industrial. Franca dhe Italia ishin dy vendet që nuk ndoqën këtë ecuri.

Indeksi i prodhimit industrial zbriti në 52.8 pikë, niveli më i ulët në katër muaj, nga 53.6 pikë në shtator, megjithëse mbeti mbi mesataren afatgjatë të anketës. Ndërkohë, kompanitë prodhuese shtuan numrin e punonjësve për të tretin muaj radhazi.

Kostot operative të fabrikave u rritën me ritmin më të shpejtë në pesë muaj gjatë tetorit. Në përgjigje të kësaj rritjeje, kompanitë shtrenjtuan ndjeshëm çmimet e shitjes, megjithëse ritmi i rritjes së tyre mbeti përgjithësisht i pandryshuar krahasuar me shtatorin.

“Me inflacionin e kostove të lëndëve të para dhe materialeve të prodhimit që u përshpejtua sërish ndjeshëm në tetor, duke arritur një nga nivelet më të larta të katër viteve të fundit për shkak të çmimeve më të larta të energjisë dhe pengesave në furnizim, të dhënat më të fundit të PMI-së shtojnë presionin mbi BQE-në për të rritur më tej normat e interesit në muajt e ardhshëm, duke krijuar një tjetër pengesë për bizneset”, shtoi Williamson.

Problemet në zinxhirët e furnizimit u përkeqësuan gjatë muajit, ndërsa afatet e dorëzimit të mallrave u zgjatën, duke arritur nivelin më të pafavorshëm që prej qershorit.

Prodhuesit rritën volumin e blerjeve me ritmin më të shpejtë në pothuajse katër vjet e gjysmë, ndërsa për herë të parë që prej dhjetorit 2022 nisën të shtonin rezervat e lëndëve të para.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Bota /

Nafta bie drejt 111 dollarëve, shpresat për marrëveshje me Iranin lehtësojnë tregjet

Çmimet e naftës ranë të hënën, më 2 nëntor, ndërsa rifillimi i përpjekjeve diplomatike për t'i dhënë fund konfliktit me Iranin zbuti shqetësimet pë...

3 hours më parë 2 Min Lexim
Bota /

Jo më strehë e sigurt

Tregjet po zgjohen përballë huamarrjes së pakontrolluar të vendeve të pasura. Qeveritë, për fat të keq, vazhdojnë të flenë, shkruan The Economist &...

2 days më parë 7 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!