Kina injekton 81 miliardë dollarë në banka, ndryshon mekanizmin e politikës monetare
Banka Qendrore e Kinës injektoi të hënën 541 miliardë juanë (81.3 miliardë dollarë) në sistemin bankar, ndërsa ndryshoi mekanizmin kryesor të zbatimit të politikës monetare, në një lëvizje që, sipas analistëve, pritet të ulë kostot e financimit për institucionet financiare.
Banka Popullore e Kinës (PBOC) realizoi operacione të anasjella riblerjeje me afat njëditor, me normë interesi 1.25%, duke e kthyer këtë normë në pikën kryesore të referimit për politikën monetare. Sipas Reuters, ndryshimi ul me 0.15 pikë përqindjeje kufirin efektiv të poshtëm të normave të interesit në tregun ndërbankar, duke lehtësuar kushtet e financimit për bankat.
Banka qendrore kishte njoftuar të premten se do të kryente çdo ditë operacione njëditore të injektimit të likuiditetit, ndërsa operacionet me afat shtatëditor do të realizoheshin me norma të ndryshme interesi, në vend të një norme të vetme fikse.
Ming Ming, kryeekonomist në CITIC Securities, tha se norma njëditore prej 1.25% tashmë është kthyer zyrtarisht në pikën e referimit të politikës monetare, duke konfirmuar nivelin ekzistues të kostos së financimit.
Analistët vlerësojnë se ndryshimi nuk përbën një ulje konvencionale të normës bazë të interesit, por mund të ndikojë në uljen e interesave të obligacioneve dhe të kostove të huamarrjes për institucionet financiare.
Marco Sun, analist i tregjeve financiare në MUFG China, vlerësoi se norma fillestare prej 1.25% sinjalizon një orientim të politikës monetare drejt uljes së interesave afatshkurtra.
Ndryshimi i mekanizmit monetar vjen ndërsa tregu kinez i obligacioneve po përballet me shqetësime të reja për aftësinë paguese të kompanive të pasurive të paluajtshme, përfshirë grupin shtetëror Zhuhai Huafa.
Autoritetet rregullatore kineze kanë parashikuar gjithashtu takime me institucionet financiare për të diskutuar masat e mbështetjes së tregut të kapitalit.
Sipas analistëve të Citi, ndryshimi ka kryesisht karakter teknik dhe nuk pritet të shoqërohet me ulje të normës referencë të kreditimit gjatë nëntorit. Banka amerikane e konsideron vitin 2027 periudhë më të mundshme për ulje të tjera të interesave.
Citi pret që kushtet e likuiditetit në Kinë të mbeten lehtësuese, ndërsa autoritetet vazhdojnë përpjekjet për administrimin e rreziqeve që lidhen me borxhin e pushtetit vendor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









