Haxhiu kërkon strategji që t’u shërbejë krerëve të UÇK-së në apel

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që institucionet të përqendrohen te strategjia për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila duhet t’u shërbejë atyre në shkallën e apelit në Hagë.

Pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu tha se Qeveria e Kosovës ka ngritur një grup punues për hartimin e strategjisë. Ajo kërkoi që puna për të të zhvillohet me vëmendje, seriozitet dhe profesionalizëm.

Të lidhura

None found

Duke folur për ligjin për dhomat e specializuara, Haxhiu bëri të ditur se e ka adresuar kthimin e tij te Komisioni për Legjislacion, i cili ka katër javë kohë për ta trajtuar. Ajo njoftoi se sot do të takohet me kryetarin e komisionit për t’u njohur me qëndrimet e tij.

Sipas Haxhiut, juristët kanë dy interpretime për procedurën pas kthimit të ligjit në lexim të tretë. Një grup vlerëson se Kuvendit i mbetet vetëm ta votojë ose të mos e votojë, ndërsa grupi tjetër mendon se në ligj mund të bëhen edhe ndryshime. Ajo tha se shqyrtimi i kësaj çështjeje i takon Komisionit për Legjislacion.

Haxhiu shtoi se qëndrimi që ka shprehur më parë për këtë çështje mbështetet vetëm në një gjykim të Gjykatës Kushtetuese në rastin e presidentes Atifete Jahjaga.


Shtuar më 2.11.2026 12:46

Quantcast