Mbledhja e parë e komisionit
Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje është konstituuar dhe mban sot mbledhjen e parë, në orën 11:30. Kuvendi i Kosovës e kishte themeluar këtë komision më 29 tetor, me 90 vota për, pas miratimit të një rezolute.
Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë dhe ka mandat maksimal prej gjashtë muajsh. Kryetar është caktuar Burim Ramadani i Aleancës, ndërsa zëvendëskryetar Adnan Rrustemi i Lëvizjes Vetëvendosje. Anëtarë të tjerë janë Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu dhe Adelinë Tërshani nga VV-ja, Besa Kabashi-Ramaj dhe Eman Rrahmani nga PDK-ja, Doarsa Kica-Xhelili nga LDK-ja, si dhe Jovana Radosavljeviq e Emilija Rexhepi nga komunitetet.
Ramadani: Komisioni nuk do të bëjë raport politik
Kryetari i komisionit, Burim Ramadani, është zotuar publikisht se puna do të bazohet në fakte dhe argumente reale mbi vrasjen e Arlinda Zekajt. “E kujtojmë që vrasja e Arlinda Zekajt është alarm për të gjithë ne dhe prandaj qëllimi është se ky komision të punojë mbi bazën e fakteve, dëshmive dhe përgjegjësive konkrete. Ky komision nuk është farsë, është komision që nuk do të bëjë raport politik, por do të bëjë raport mbi bazën e fakteve”, ka thënë ai. Ramadani ka shtuar se pret që puna e komisionit të mos politizohet.
Ai ka njoftuar se në komision përfshihen tri faza: faza e hetimeve që përfshin mbledhjen e provave, vlerësimin e hetimeve dhe përgatitjen e raportit final. “Asnjë grua në Kosovë nuk duhet të mbetet e pambrojtur pasi që është drejtuar shtetit për ndihmë dhe asnjë institucion nuk duhet të jetë mbi përgjegjësinë që e ka për të mbrojtur jetën e secilit qytetar të Republikës së Kosovës”, ka thënë Ramadani.
Rexhepi: Të kuptohet nëse ka pasur dështime institucionale
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Emilia Rexhepi, e cila është pjesë e komisionit, ka thënë se përmes këtij procesi synohet të kuptohet nëse ka pasur pengesa apo dështime institucionale në trajtimin e rastit. “Do të duhet të konfirmojmë të gjitha rrethanat që i kanë paraprirë vrasjes së Arlindës. Numri i vrasjeve të grave tona është shumë i madh dhe kjo tregon se ne, si shoqëri në tërësi, kemi probleme me të cilat duhet të përballemi”, ka deklaruar ajo. Rexhepi ka bërë të ditur se komisioni do të angazhohet për të analizuar mënyrën se si kanë vepruar institucionet gjatë trajtimit të rastit.
Çfarë dihet për rastin
Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen dyshohet ish-kunati i saj, i cili u arrestua më 27 tetor në Deçan. Vetëm tri ditë para vrasjes, ajo u kishte dërguar letër institucioneve duke alarmuar se jeta e saj ishte në rrezik.
Më 16 tetor, Gjykata Themelore në Pejë kishte nxjerrë një urdhër mbrojtjeje emergjente gjashtëmujor, përmes të cilit Arlindës i ishte mundësuar shfrytëzimi i shtëpisë së përbashkët dhe kujdestaria e përkohshme e djalit. Më 23 tetor, një zyrtar policor u kishte dërguar e-mail drejtuesve të Policisë, duke kërkuar masa shtesë për sigurinë e saj dhe vizita të përditshme të patrullave policore. Më 25 tetor, Arlinda Zekaj ishte kthyer në shtëpinë e saj në përcjellje të Policisë dhe u vra pak më vonë.
Pas vrasjes shpërthyen protesta në shenjë revolte në disa qytete të Kosovës. 11 zyrtarë policorë janë suspenduar lidhur me rastin, ndërsa janë suspenduar edhe kryeprokurorja dhe prokurorja në Pejë. Dorëheqje ka dhënë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
