Nga Lorenc Vangjeli
Në Tiranë pati festë kur Orban, autokrati hungarez ra nga pushteti me zgjedhje. Festuan edhe ata që nuk e kishin idenë se marrëdhëniet personale të kryeministrit shqiptar me hungarezin kapriçioz, ishin shumë më të forta se ato që mban shënim diplomacia zyrtare. Opozita pa tek rezultati i zgjedhjeve në vendin e Evropës Qëndrore shembjen e një modeli jetëgjatë në pushtet. Në Tiranë u hap gjithashtu shampanja e festës kur Vuçiç, autokrati serb, u shemb nga pesha e votës në Beograd. Krahasimi i fatit të tij me atë që mund t’i ndodhte Edi Ramës në Shqipëri, të kërcënuar seriozisht nga një vale protestash të paprera, u bë lodra e preferuar politike e gishtave të kryqëzuar. Binjakët dygjuhësh që kishin dominuar Ballkanin për mbi një dekadë, për herë të parë po ecinin të ndarë në rrugë të ndryshme. Armiqtë e Edi Ramës vazhdojnë të besojnë se marrëdhënia e tyre reciproke dhe personale, si dy lumenj që ushqenin të njëjtën tipologji pushteti, tashmë do ta bënte shumë më të vështirë qeverisjen e Ramës në Tiranë. Dhe, jo pa arsye, nisën të shpresojnët se këto ndryshime politike, ishin një lojë dominosh, ku Hungaria e para, Serbia e dyta, i linte rradhën dominosë së tretë shqiptare për t’u rrëzuar.
Të përbashkëtat e tre liderve autoritarë bëjnë një listë të gjatë. Në mënyrë të njëjtë ata kanë qeverisur shumë gjatë në kohë vendet e tyre dhe ju kanë dhënë vendeve respektive tiparet e një autokracie elektorale dhe të një demokracie hibride.
Manjakë të kontrollit të opinionit publik dhe narativës së përgjithshme, nëpërmjet ndikimit në rastin më të mirë dhe dominimit në rastin më të keq, ata kanë qenë njëkohësisht punëdhënës, kryeredaktorë dhe përfitues të një pjese të madhe të medias tradicionale. Madje edhe duke dominuar rrjetet sociale.
Korrupsioni dhe lidhja mes politikës e biznesit nga njëra anë dhe politikës e krimit të organizuar nga ana tjetër, shndërrimi i tyre në klientë të drejtpërdrejtë të njëri-tjetrit, është ajo çfarë po zbulohet gradualisht në Budapest, po artikulohet në Beograd dhe është nën një seri hetimesh zyrtare nga drejtësia në Shqipëri.
Trojka e burrave ka ndjekur të njëjtin stil në demonizimin dhe dobësimin e opozitës zyrtare. Kanë ndjekur të njëjtën strategji që niste, por nuk fundonte me përçarjen e saj, rekrutimin financiar të një pjese të saj dhe inkurajimin e goditjes së një pjese tjetër. Si rrjedhojë ata janë paraqitur si faktorë të vetëm politikëbërës në vendet e tyre, shprehur kjo më qartë në devizën e Ramës: Nuk jemi më të mirët e mundshëm, por nuk ka më të mirë se ne!
Nëse në vendet e tyre ata janë akuzuar në mënyrë të përsëritur për shkeljen e standarteve demokratike, përballë Perëndimit ata kanë vënë në vitrinë veten si garantues të stabilitetit. Duke u prezantuar jo vetëm stabilitetit të brendshëm, por edhe si kontributorë në stabilitetin rajonal. Në këtë kohë hallesh dramatike gjeopolitike në Bruksel dhe Uashington, pikërisht kjo ishte menuja e vetme që pritej të servirej nga vende të vogla dhe me peshë modeste dhe kryesisht modeste në shahun e madh ndërkombëtar. Por ndryshe nga dy të parët, Orban dhe Vuçiç që shijonin flirtin tradicional me Moskën dhe Pekinin, Rama, udhëheqës i një vendi dikur vasal i Moskës dhe Pekinit, është sjellë posaçërisht si kalorës i paepur i Perëndimit. Dhe këtu është një nga arsyet bazë se pse vetë Perëndimi ka shkelur herë syrin dhe herë ka mbyllur veshët për raportin e frakturuar mes stabilitetit dhe standarteve demokratike në këto vende.
Dhe mbi të gjitha, të tre kanë dominuar me pushtetin vetjak, stilin autoritarisht e pesonalizues edhe pushtetet e tjera kushtetuese. Të cilat, e ku më shumë e ku më pak, i kanë trajtuar si zgjatime të besdisshme të vullnetit të tyre. Si e keqe e domosdoshme për të ruajtur fasadën. Por krejt ndryshe nga sa mund të besohet me naivitet, kontrolli antikushtetues i pushteteve të tjera, nuk e bën më të fortë ekzekutivin. Mund ta bëjë më jetëgjatë në kalendar, por shumë më të brishtë, më të dobët dhe më të cënueshëm, qoftë dhe në një moment të vetëm. Atëherë kur duket se nuk mund të shkohet më lart dhe rënia vjen si mallkim i papritur. Budapesti dhe Beogradi e vërtetuan këtë aksiomë. Edhe pse mbas disfatave personale, të dy u betuan “…se do të rikthehen!”, këtë gjë nuk e besojnë më as vetë. Koha kur ata ndanin me njëri-tjetrin diplomacinë e byrekut serb dhe pushtet pa kufi, në nëntorin e shkuar, tashmë është vetëm kujtesë dhe po të dy, rrezikojnë seriozisht edhe skedinën e tyre penale të nesërme.
Ka shumë paralele që mund të hiqen mes Ramës, Vuçiçit e Orbanit. Edhe obsesionin e tyre për të garantuar marrëdhënie personale me Presidentin Trump me çdo kusht e çdo çmim, e kishin prioritet absolut. Natyrisht që ka dhe ndryshime thelbësore që vijnë nga karakteristika shumë të ndryshme historike, kulturore dhe sociale të tre vendeve. Shqipëria zyrtare ka një orientim shumë të fortë perëndimor, nuk është ende fatmirësisht peng i nacionalizmit, religjioni ka pak peshë në vendimmarrje politike dhe ka në diasporë gati gjysmën matematike të popullsisë së saj. Një diasporë, që edhe pse e fragmentuar, është jashtë ndikimit direkt të politikës lokale dhe ka një depërtim kapilar në shoqërinë shqiptare.
Zakonisht, historia e të ardhmes është shkruar në të shkuarën! E shkuara e afërt elektorale në Hungari e Serbi është një pasqyrë për të parë se çfarë mund të ndodhë nesër në Tiranë. Për t’u parë jo nga pasqyrat e flamingove, siç serviret, por llogaritë realpolitike. Nuk ka verbëri më të madhe sesa kur refuzon të hapësh sytë. Në këtë rast, shkopi i të verbërit shërben për të konstrolluar rrugën dhe jo për të goditur me të andej nga dëgjon se vijnë zërat që mallkojnë a protestojnë.
Zakonisht historia është një mësues që preferohet pak në Ballkan. Por ky paragraf i historisë do të duhej të ishte palestra ku palët, pozita e opozita shqiptare, duhet të ushtrojnë muskujt, mendjen dhe trupin për ndeshjen e madhe. Atë që është ende udhës për të ardhur në Tiranë.












