Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka pranuar kërkesën e kryekomisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për vendosjen e gjobave ndaj 13 partive politike për shkelje të konstatuara në raportimin e financave të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Shuma totale e sanksioneve të propozuara nga Celibashi dhe të miratuara sot nga KAS, arrin në 7.5 milionë lekë. Sipas kërkesës së Celibashit, shkeljet përfshinin mosdorëzimin e raporteve financiare, raportimin jashtë afatit, shpenzime pa dokumentacion mbështetës dhe mospërputhje në deklarimin e të ardhurave e shpenzimeve.
Gjobat më të larta, nga 2 milionë lekë secila, janë vendosur për Partinë Rruga e Vërtetë Shqiptare dhe Partinë Aleanca Arbnore Kombëtare. Sipas dokumentit, të dyja partitë nuk kanë dorëzuar raportin financiar për fondet e përfituara dhe shpenzimet e kryera gjatë fushatës.
Partia Bashkimi Liberal Demokrat ka dorëzuar raportin financiar jashtë afatit ligjor. Raportim me vonesë është konstatuar edhe për Aleancën Demokracia e Re, Aleancën Konservatore për Shqipërinë dhe Partinë Kristian Demokrate, për të cilat dokumenti përmend edhe probleme teknike të sistemit PERF. Për Aleancën Demokracia e Re u evidentua gjithashtu mungesa e raporteve financiare individuale të 186 kandidatëve, ndërsa për Aleancën Konservatore për Shqipërinë mungesa e raportit të një kandidati.
Për Partinë Lëvizja Atdheu, gjoba lidhet me mosdorëzimin e raporteve financiare individuale nga 186 kandidatë.
Ndërsa për Aleancën Kombëtare Shqiptare, sipas dokumentit, dhurimet janë kryer si përmes llogarisë së posaçme të fushatës, ashtu edhe përmes llogarisë së aktivitetit të përditshëm të partisë. Gjithashtu, 186 kandidatë nuk kanë dorëzuar raportet financiare individuale.
Për pesë parti të tjera, Celibashi propozoi gjoba prej 100 mijë lekësh secila, të cilat u miratuan sot nga KAS.
Partia Balli Kombëtar ka paraqitur shpenzime pa dokumentacion mbështetës të njohur nga ligji dhe nuk i ka kryer transaksionet përmes llogarisë së posaçme të fushatës. Në kërkesë evidentohet edhe se subjekti ka NIPT pasiv.
Për Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, janë konstatuar një transferim prej 2 milionë lekësh drejt llogarisë së fushatës dhe një transfertë prej 1.5 milionë lekësh në favor të Partisë Demokratike, të papasqyruara në raportin financiar. Dokumenti evidenton edhe një diferencë të parakorduar prej 59 mijë lekësh dhe parregullsi në formatin e raportimit të kandidatit Petraq Gjikuria.
Për Partinë Djathtas 1912, kandidatët nuk kanë pasqyruar si të ardhura vetëfinancimin në shumën rreth 1.22 milionë lekë. Gjithashtu, janë raportuar shpenzime pa fatura fiskale në vlerën rreth 1.17 milionë lekë dhe mospërputhje mes të dhënave individuale të kandidatëve dhe raporteve përmbledhëse.
Për Partinë Socialdemokrate, gjetjet përfshijnë fatura pa NIPT-in e partisë në vlerën 218,341 lekë, qira zyrash elektorale të paraportuara në shumën 760,352 lekë dhe mungesë të të dhënave për fonde e shpenzime të kandidatëve në vlerën 718,218 lekë. Janë evidentuar gjithashtu mospërputhje mes numrit të zyrave të konstatuara nga monitoruesit dhe atyre të deklaruara në raport.
Ndërsa Partia Nisma Thurje, rezulton se nuk ka hapur llogari bankare të posaçme për zgjedhjet. Auditimi ka konstatuar dublim të të ardhurave dhe shpenzimeve për shumën 1,727,331 lekë, si dhe mungesë të të dhënave identifikuese dhe adresave të dhuruesve.
Kërkesa e Celibashit për gjobitjen e këtyre subjekteve politike, e miratuar sot nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, mbështetet në gjetjet e auditimit të financave të fushatës.








Komente
Komento