Anëtarët e Komisionit Hetimor parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt u zotuan se do ta zhvillojnë punën me profesionalizëm dhe në interes të përgjithshëm. Kryetari i komisionit, Burim Ramadani, propozoi që deri të mërkurën anëtarët të paraqesin idetë e tyre për hapat që do të ndërmerren, ndërsa të premten të nisë puna konkrete dhe të miratohet plani i veprimit.
Nënkryetari Adnan Rrustemi deklaroi se do t’i qasen çështjes me përkushtim, përgjegjësi të plotë dhe profesionalizëm. Ai tha se komisioni ka mandat të hetojë në mënyrë të detajuar çdo veprim, mosveprim apo mospërmbushje të detyrimeve ligjore nga institucionet përgjegjëse, duke e trajtuar në mënyrë të veçantë rastin e Arlinda Zekajt.
Të lidhura
None found
“Komisioni Hetimor natyrisht e ka mandatin që të hetojë në detaje dhe profesionalizëm. Pajtohem me kryesuesin e komisionit që ne, si anëtarë, t’i qasemi me profesionalizëm këtij fenomeni në radhë të parë dhe pastaj me theks të veçantë rastit të Arlinda Zekajt. Ne do të hetojmë dhe verifikojmë në detaje secilin veprim, mosveprim dhe mospërmbushje të obligimeve ligjore të institucioneve përgjegjëse. Shpreh dedikimin dhe përkushtimin tim që ta trajtojmë këtë çështje me profesionalizëm dhe me përgjegjësi të madhe, të plotë”, tha Rrustemi.
Anëtarja e komisionit nga PDK, Besa Kabashi Ramaj, theksoi se përgjegjësia shtetërore duhet të nisë që në momentin kur një grua kërkon mbrojtje dhe jo vetëm pas vrasjes së saj.
“Detyra jonë nuk është ta zëvendësojmë drejtësinë, por do të jetë shumë e rëndësishme të sigurojmë llogaridhënie institucionale dhe politike, mbi bazën e fakteve dhe provave. Prandaj, deri të mërkurën do ta dërgojmë në detaje planin e veprimit. Është e rëndësishme që gjithçka të përfundojë saktë dhe sa më shpejt. Përgjegjësia jonë si shtet nuk përfundon te zyrtari që e ka trajtuar rastin, por shtrihet edhe te drejtuesit që kanë pasur detyrimin të sigurojnë funksionimin e shtetit tonë. Përgjegjësia e shtetit nuk fillon kur një grua vritet, por kur ajo kërkon të mbrohet”, tha Rama.
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, u shpreh se anëtarët e këtij komisioni kanë për detyrë të angazhohen maksimalisht në punën hetimore.
“E ndjera Arlinda i ka thënë të gjitha ato që ne sot nuk mund t’i themi. Detyra jonë është të punojmë shumë në këtë komision hetimor”, tha ajo.
Edhe anëtarët e tjerë, Adelina Tërshani dhe Eman Rrahmani, u zotuan se do të veprojnë drejt dhe në shërbim të së mirës së përgjithshme.
Mbledhja e radhës do të zhvillohet të premten. Gjatë saj pritet të diskutohet plani i veprimit, ndërsa janë kërkuar edhe raportet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, me synim sqarimin e veprimeve të ndërmarra.








