Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, Gëzim Berisha, të mbahet një muaj në arrest shtëpiak. Ai dyshohet për veprën penale të dhunës në familje.
Gjykata nuk e aprovoi kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit, duke e cilësuar atë të pabazuar.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të gjykatës, arresti shtëpiak konsiderohet masë e mjaftueshme për të ulur rrezikun e përsëritjes së veprës, për të mbrojtur të dëmtuarën dhe për të mundësuar zhvillimin e rregullt të procedurës penale.
Në arsyetimin e saj, gjykata bëri të ditur se plotësohen kushtet për caktimin e kësaj mase ndaj të pandehurit G.B. dhe se ajo mjafton për të parandaluar përsëritjen e veprës, për të mbrojtur të dëmtuarën dhe për të garantuar vijimin e rregullt të procesit penal.
Vendimi, sipas gjykatës, merr parasysh se i pandehuri dhe e dëmtuara nuk jetojnë më së bashku si familje. Arresti shtëpiak është caktuar në një pronë ku e dëmtuara nuk banon, në mënyrë që të shmanget kontakti i drejtpërdrejtë mes tyre.
Stacioni Policor në Vushtrri është ngarkuar me zbatimin e masës dhe kontrollin e respektimit të saj. Nëse Berisha nuk e zbaton vendimin, policia duhet ta njoftojë menjëherë gjyqtaren e procedurës paraprake.
Para vendimit të gjykatës, Prokuroria e kishte ndaluar për 48 orë drejtorin e spitalit, nën dyshimin për dhunë në familje.
Ndalimin e konfirmoi Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila tha se ai ishte kryer me urdhër të prokurorit kujdestar.
Shala kishte njoftuar se personi me inicialet G.B. ishte ndaluar për 48 orë, pasi dyshohej për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.
Ajo shtoi se Prokurori i Shtetit po ndërmerrte veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.







