Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, dhe ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, kanë zhvilluar një vizitë në burgun e Shënkollit, ku në fokus ka qenë përmirësimi i kujdesit shëndetësor dhe kushteve të trajtimit për personat nën masa sigurie. Vizita lidhet me masat e parashikuara në përgjigje të rekomandimeve të Komitetit Europian për Parandalimin e Torturës (CPT), Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe mekanizmave kombëtarë të monitorimit.
Dy ministritë, nën koordinimin e Kryeministrisë, kanë hartuar një plan të përbashkët masash për përmirësimin e kushteve të trajtimit dhe garantimin e standardeve të kujdesit shëndetësor për personat me masa mjekësore. Ministria bën të ditur se është miratuar kuadri rregullator për ngritjen dhe funksionimin e një Institucioni Mjekësor të Posaçëm, ndërsa procedurat për investimin në infrastrukturën e re janë ende në vijim.
Deri në funksionimin e këtij institucioni, po punohet që përgjegjësia për ofrimin e kujdesit shëndetësor në IEVP Lezhë të kalojë nga Ministria e Drejtësisë te Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Sipas ministrisë, aktualisht shërbimet shëndetësore në institucion mbështeten përmes angazhimit me kohë të pjesshme të mjekëve psikiatër nga strukturat vendore të shëndetësisë, si dhe ofrimit të ekzaminimeve laboratorike, imazherike dhe konsultave me specialistë.
Për trajtimet dhe ndërhyrjet spitalore, përfshirë ato kirurgjikale, në njoftim thuhet se shërbimet ofrohen përmes Spitalit Rajonal të Lezhës dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, Mbështetja diagnostike, epidemiologjike dhe teknike, sipas nevojave, sigurohet nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Lezhë dhe Instituti i Shëndetit Publik. Ministria e Shëndetësisë e paraqet këtë proces si pjesë të reformës për përfshirjen e kujdesit shëndetësor në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale brenda sistemit publik shëndetësor.
