Një valë sulmesh kibernetike ka vënë në shënjestër disa prej rrjeteve më të mëdha të supermarketeve në Suedi, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe ndërprerje të aktivitetit në disa prej pikave të shitjes.

Sipas raportimeve të mediave suedeze, ndërhyrjet kanë ndodhur nga mbrëmja e së dielës, më 1 nëntor, deri në mëngjesin e së hënës, më 2 nëntor. Hakerat dyshohet se kanë marrë kontrollin në distancë të sistemeve që rregullojnë temperaturën e frigoriferëve dhe ngrirësve, duke i çuar ato deri në 70 gradë Celsius.

Si pasojë, mijëra produkte ushqimore janë ekspozuar ndaj temperaturave të larta, duke rrezikuar dëmtimin e sasive të mëdha të mallrave.

Incidente me të njëjtën metodë sulmi janë raportuar pothuajse në të njëjtën kohë edhe në Belgjikë dhe Luksemburg, ndërsa një rast i ngjashëm ishte evidentuar më herët edhe në Francë.

Dëmet financiare në Suedi llogariten në qindra mijëra korona. Ndërkohë, raportohet se janë prekur edhe sistemet e arkave, të cilat kanë dalë jashtë funksionit, por ende nuk është konfirmuar nëse ky problem është drejtpërdrejt i lidhur me sulmin kibernetik.

Situata ka detyruar kompaninë të mbyllë përkohësisht disa prej supermarketeve të saj. Përfaqësuesit u kanë kërkuar ndjesë klientëve, ndërsa kanë bërë të ditur se po punohet për rikthimin e sistemeve dhe normalizimin e shërbimeve.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar përmasat e plota të sulmit, mënyrën e ndërhyrjes dhe autorët përgjegjës.