Punonjësit e administratës publike do të përzgjidhen dhe promovohen sipas një sistemi të ri, të quajtur “Shkalla e Meritës”, ku emërimet, ngritjet në detyrë dhe largimet do të bazohen te aftësitë dhe rezultatet në punë. Kryeministri Edi Rama prezantoi reformën që parashikon edhe ngritjen për herë të parë të një Ministrie për Administratën Publike, drejtimi i së cilës do t'i besohet Adea Pirdenit.

"Kemi reflektuar mbi mënyrën se si të jemi më pranë njerëzve, duke e sjellë më pranë administratën, më pranë shtetin. Pjesë e këtyre ndryshimeve, ku kemi thirrur në ndihmë IA-në, por jo vetëm, është edhe Shkalla e Meritës. Si ta bëjmë administratën një hapësirë ku njerëzit më të aftë, më të përgatitur, më të përkushtuar dhe më të dëshiruar që t'i shërbejnë vendit nga ana e shtetit, të mund jo vetëm të hyjnë, por edhe të ecin përpara, kur hyjnë, në shkallën e hierarkisë në administratë?", tha Rama. 

Sistemi i ri parashikon një provim kombëtar unik, sipas modelit të Cambridge, ku kandidatët do të testohen për njohuritë dhe aftësitë e tyre. Ata që kalojnë do të marrin një certifikatë të vlefshme për 4 vite, e cila u mundëson pjesëmarrjen në konkurset për pozicionet në administratë.

“Provim kombëtar unik, ku kandidatët do të dëshmojnë njohuritë. Ky test do të bëhet së bashku me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, që po adopton modelin e provimeve të Cambridge. Ata që kalojnë marrin një certifikatë për 4 vite, që u mundëson të marrin pjesë në konkurrimin për pozicionin përkatës”, tha Edi Rama.

Krah Pirdenit, Rama tha se vlerësimi i punonjësve të administratës nuk mund t'u lihet vetëm në dorë drejtuesve, të cilët po ashtu do të vlerësohen sipas rezultateve në punë.

“Nuk është garë për të parë sa drejtorë do të largohen nga detyra, as ushtrim për të ndryshuar emra, hiq Lolin apo vër Colin. Kërkesë për të parë se ku drejtimi ka prodhuar rezultate dhe ku ka prodhuar rutinë apo kosto. Aty ku ka profesionalizëm, duhet njohur dhe mbrojtur. Aty ku problemet përsëriten, duhet të ketë pasoja, pa cenuar kapacitetet dhe punën, por edhe procesin e negociatave me BE-në", tha Rama. 

Pjesë e reformës do të jetë edhe krijimi i Regjistrit Kombëtar të Talenteve, ku të gjithë ata që dëshirojnë të punojnë në administratën publike do të mund të regjistrojnë kandidaturën, duke deklaruar formimin dhe kualifikimet e tyre profesionale. Përmes këtij sistemi, kandidatët do të informohen në kohë reale për vendet vakante dhe konkurset që përputhen me profilin e tyre. Rama sqaroi se sistemi do të mbështetet edhe te inteligjenca artificiale, përmes platformës “MeritAI”, ndërsa theksoi se ndërhyrjet në procesin e testimit dhe promovimit do të jenë të pamundura.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:27
Urdhri për dorëheqjet e drejtorëve, Rama: Kërkesë për të parë rezultatin ose rutinën e drejtimit! Pasoja për mungesën e përgjegjësisë (VIDEO)

 

Pas urdhrit për dorëheqjet e drejtorëve në 134 institucione në varësi të ministrive, kryeministri Edi Rama tha sot se bëhet fjalë për një kërkesë për vlerësim rezultatesh. Sipas Ramës, do të shihen rastet ku drejtimi ka sjellë rezultat dhe ato ku ka sjellë vetëm rutinë e kosto për institucionin. Në rastin e dytë, do të ketë pasoja, por pa prekur kapacitetet, shërbimin ndaj qytetarëve apo procesin e negociatave me BE.

“Së treti, te drejtimi, këtu do jemi dhe më kërkues. Kjo lidhet dhe me një çështje që ka marrë rëndësi të veçantë në zhvillimet e fundit, përgjegjësinë për drejtimin e institucioneve. Rreth 10 ditë më parë, drejtues të një numri institucionesh që ofrojnë shërbime të drejtpërdrejtë për qytetarët, i janë nënshtruar një proces i vlerësimit të rezultateve në punë. Kjo nuk është aspak një lëvizje e panatyrshme, as një garë për të parë sa drejtues largohen nga detyra dhe as një ushtrim për të ndryshuar emra në kryet institucioneve, apo hiq Colin dhe sill Lolin, është një kërkesë për të parë me një sy më kritik se ku drejtimi ka prodhuar rezultatet dhe ku ka prodhuar vetëm rutinë ose më keq akoma kosto për imazhin e institucioneve të atij shtetit.

Aty ku ka profesionalizëm e rezultate, ato duhen njohur dhe duhen mbrojtur. Aty ku problemet përsëriten dhe përgjegjësia mungon, duhet të ketë pasoja pa cenuar kapacitetet dhe pa ndërprerë asnjë moment punën në shërbim të qytetarëve, por edhe procesin e negociatave me Bashkimin Europian”, tha Rama.

Ora 13:49
Rama: Ai që punon mirë duhet të ecë përpara, jo ai që thotë ‘i kam krahët e ngrohtë’! ‘Shkalla e Meritës’ për t’i dhënë fund padrejtësive në administratë (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama theksoi se në administratën publike duhet të vlerësohen dhe promovohen punonjësit mbi bazën e meritës, jo të lidhjeve apo mbështetjes që mund të kenë. Sipas tij, rritja e pagave dhe përmirësimi i kushteve të punës nuk mjaftojnë nëse ata që punojnë mirë nuk kanë mundësi të përparojnë në karrierë, ndryshe nga ata që punojnë më pak, por që, siç u shpreh ai, i kanë “krahët e ngrohtë”.

"Një pagë më e mirë dhe kushte më të mira pune nuk e zgjidhin vetvetiu problemin themelor: meritën. E kemi dëgjuar dhe dëgjojmë gjithmonë e më shpesh, është bërë në një farë mënyre dhe si një trend në një bisedë të gjerë publike se “ku është merita, s'ka meritë, s'vlerësohet njeriu sipas meritës” dhe ky dëgjim është i rëndësishëm, edhe pse jo e gjitha është e zezë ashtu sikundër jo e gjitha është e bardhë. Ka shumë më tepër nuanca brenda këtij vlerësimi, por jemi të vetëdijshëm.

Mund t'i paguash më mirë njerëzit dhe përsëri mos arrish të dallosh atë që punon shkëlqyeshëm nga ai që bën minimumin. Dhe këtë dallim nuk duhet ta lëmë dhe nuk do ta lëmë në dorën e një drejtuesi apo një drejtuesi tjetër. Ky dallim duhet të bëhet sistemik. Mund të investosh në trajnime dhe përsëri të mos i hapësh rrugë atij që ka treguar se është i aftë të marrë përgjegjësi më të mëdha dhe përsëri këtë aftësi për të marrë përgjegjësi më të mëdha, duhet ta lexojë sistemi. Jo thjesht ta kuptojë ose jo personi, ai që është mbi ty. Ne mund të ndryshojmë sa të duam procedura, mund të krijojmë edhe sisteme të reja, mund të bëjmë edhe 100 rregullore të tjera. Nëse në fund njeriu që punon më mirë, nuk ka më shumë mundësi të ecë përpara sesa ai që punon më pak ose nuk punon fare dhe thotë “i kam krahët e ngrohtë”, atëherë nuk kemi ndryshuar atë që është tani sfida të ndryshojmë dhe këtu merr rëndësinë e vet themelore ‘’Shkalla e Meritës’", tha Rama. 

Ora 13:43
Rama shpjegon si do të funksionojë ‘Shkalla e Meritës’: Provim kombëtar unik për punonjësit e administratës, sipas modelit të Cambridge! Certifikatë 4-vjeçare për ata që kalojnë (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama prezantoi mënyrën se si do të funksionojë “Shkalla e Meritës”, reforma që synon të garantojë promovimin në administratën publike mbi bazën e aftësive dhe profesionalizmit. Punonjësit do t'i nënshtrohen një provimi kombëtar unik, të organizuar në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, sipas modelit të Cambridge. Ata që kalojnë testimin do të pajisen me një certifikatë të vlefshme për 4 vite, e cila do t'u mundësojë pjesëmarrjen në konkurset për ngritjen në detyrë.

"Së pari, te hyrja e administratës. Përmes testimit kombëtar, një provimi kombëtar unik, kandidatët do të kenë mundësinë të dëshmojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre përpara një standardi të përbashkët dhe ky testim kombëtar do të bëhet duke bashkëpunuar me Qendrën e Shërbimeve Arsimore e cila po adopton tanimë modelin e provimeve të Cambridge-it. Provime të sekretuara, standard i barabartë dhe gjithçka përmes teknologjisë në hapin e parë.

Ata që e kalojnë me sukses pajisen me një çertifikatë të vlefshme për katër vjet e cila u mundëson të marrin pjesë për konkurrimet për pozicionet përkatëse. Certifikata e provimit nuk të jep automatikisht një vend pune, por krijon një bazë më të drejtë dhe më të besueshme për konkurrimin. Një i ri kudo që jeton në Shqipëri nuk duhet ta shohë hyrjen në administratë si një derë për të cilën duhet të gjejë dikë që t'ia hapë. Ai duhet ta dijë se ka një rrugë të qartë ku ai mund të provojë atë që di dhe atë që është i aftë të bëjë. Dhe me këtë logjikë ne do të vendosim në dispozicion të të gjithëve këtë derë, derën e provimit unik kombëtar.

Së dyti, përparimi gjatë karrierës. Meritokracia. Flitet shumë për meritokraci. Ka shumë ankesa dhe ka shumë thellësi ndjesia se nuk ka meritokraci, por meritokracia nuk duhet të jetë vetëm një kërkesë që shteti i bën nëpunësit, por duhet të jetë dhe garancia që shteti i jep atij, duke afirmuar në vazhdimësi se puna e mirë njihet dhe se aftësia është kushti i panegociueshëm për ngjitje në shkallët e karrierës.

Së treti, te drejtimi, këtu do jemi dhe më kërkues. Kjo lidhet dhe me një çështje që ka marrë rëndësi të veçantë në zhvillimet e fundit, përgjegjësinë për drejtimin e institucioneve. Rreth 10 ditë më parë, drejtues të një numri institucionesh që ofrojnë shërbime të drejtpërdrejtë për qytetarët, i janë nënshtruar një proces i vlerësimit të rezultateve në punë. Kjo nuk është aspak një lëvizje e panatyrshme, as një garë për të parë sa drejtues largohen nga detyra dhe as një ushtrim për të ndryshuar emra në kryet institucioneve, apo hiq Colin dhe sill Lolin, është një kërkesë për të parë me një sy më kritik se ku drejtimi ka prodhuar rezultatet dhe ku ka prodhuar vetëm rutinë ose më keq akoma kosto për imazhin e institucioneve të atij shtetit.

Aty ku ka profesionalizëm e rezultate, ato duhen njohur dhe duhen mbrojtur. Aty ku problemet përsëriten dhe përgjegjësia mungon, duhet të ketë pasoja pa cënuar kapacitetet dhe pa ndërprerë asnjë moment punën në shërbim të qytetarëve, por edhe procesin e negociatave me Bashkimin Europian", tha Rama. 

Ora 13:40
Rama vlerëson administratën shqiptare: Qindra profesionistë po përballen si të barabartë me ekspertët e BE-së, merita e tyre duhet njohur (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama vlerësoi përkushtimin e administratës shqiptare në procesin e integrimit europian. Sipas tij, vlerësimi për administratën vjen edhe nga partnerët europianë, ndërsa theksoi se njohja e meritës dhe promovimi i profesionistëve do të jenë në qendër të reformës së re për administratën publike.

"E kam thënë dhe do ta them gjithnjë: kur ishim duke hyrë në këtë proces thosha gjithmonë me kolegët, me koleget: 'Okej, okej, po shtyjmë, po shtyjmë, po shtyjmë dhe këto dreq negociatash do hapen, po pastaj si do ia bëjmë kur të ulemi në tryezë?” Sepse rezervat e mia nëse administrata jonë do të ishte në gjendje të përballonte atë që na priste, ishin serioze. Dhe këtu nuk është fjala për një volum pune që është i jashtëzakonshëm, por për nivelin e përgatitjes, për thellësinë e njohurive, për disiplinën që kërkon një proces i tillë me burokratët e Brukselit përballë, që janë si një sahat zviceran kur i thonë fjalës, si mekanizma të një sahati zviceran.

Sot konfirmohet, konfirmohet në fakt hap pas hapi dhe jo nga ne, jo nga unë, por nga Brukseli dhe nga partnerët europianë me të cilët shkëmbejmë intensivisht çdo ditë tashmë në kuadrin e negociatave, se administrata jonë ka fatmirësisht njerëz që njohin në detaje fushat. Fusha në fakt disa herë shumë komplekse, njerëz që përballen me ekspertët e Komisionit Europian me dinjitet si të barabartë dhe që fitojnë dhe ushqejnë respekt, njerëz që faktikisht janë përkushtuar në jetën e tyre profesionale shërbimit ndaj Republikës së Shqipërisë e për këtë, ndaj vetë Shqipërisë europiane. Dhe nuk flas këtu për një apo dy individë sepse një, dy, tre, dhjetë, pesëmbëdhjetë gjenden. Këtu flas për qindra njerëz, për një potencial të tërë profesional që ekziston sot brenda shtetit shqiptar dhe që ne kemi detyrimin ta njohim shumë më mirë dhe ta vlerësojmë me shumë më tepër kujdes.

Këtu nuk është fjala thjesht për teknicienë që përgatisin ligje të përputhura me standardet e BE-së apo që thjesht janë nxënës të mirë në ‘’shkollën’’ e shtetbërjes së Brukselit, por flitet për ata që po formësojnë ditë pas dite një administratë të Shqipërisë shtet anëtar i Bashkimit Europian.

Megjithatë, siç kemi parë dhe siç kemi kuptuar edhe nga anketimet e brendshme që bëjmë çdo vit me nëpunës të administratës, një nëpunës mund të punojë me përkushtim për vite me radhë, të marrë përsipër përgjegjësi të mëdha dhe përsëri të mos ketë një rrugë të qartë për t'u rritur në karrierë. Mund të ketë fatin të punojë me një drejtues që ia njeh vlerën, që ia çmon meritën, por mund të ketë dhe një drejtues që nuk ia njeh, që nuk ia çmon dhe karriera e tij shpesh mund të varet nga kjo rastësi.

Kjo është e padrejtë dhe kjo në fakt nuk është vetëm e padrejtë për individët që meritojnë të respektohen, që meritojnë të vlerësohen, që meritojnë të promovohen, por kjo bëhet pastaj e padrejtë për qytetarët që shërbehen, sepse kjo krijon brenda organizmit të administratës një mpirje, një demotivim dhe një prishje, pikërisht të asaj shkalle të meritës që ne do ta vendosim në qendër të vëmendjes sonë dhe që do të jetë prioriteti i prioriteteve të Ministrisë së re për Administratën Publike", tha Rama. 

Ora 13:38
'Do të jetë e pamundur të ndërhyhet në sistemin e provimit', Rama për administratën: Kush kërkon të punojë për shtetin do të regjistrohet në Regjistrin e Talenteve (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama shpjegoi në fjalën e tij se  se sistemi i ri do të mbështetet në disa instrumente, mes tyre Katalogu Kombëtar i Pozicioneve dhe Kompetencave, Regjistri Kombëtar i Talenteve dhe “MeritAI”.

Sipas tij, të gjithë ata që duan të kontribuojnë në administratën shtetërore do të kenë mundësi të regjistrojnë kandidaturën e tyre në Regjistrin e Talenteve dhe të informohen në kohë reale për vendet e lira dhe konkurset që përputhen me profesionin dhe kualifikimet e tyre. Rama theksoi se ndërhyrjet do të jenë të pamundura në sistemin e provimit unik dhe në Shkallën e Meritës. 

"Krijimi i Ministrisë së Administratës Publike jep kësaj përgjegjësie për menaxhimin e mirë të kapitalit njerëzor të Republikës së Shqipërisë një adresë të qartë institucionale. Kjo do të jetë një ministri që do të vijojë punën reformuese të nisur tashmë me reformën e administratës në tërësinë e saj, me organizimin dhe funksionimin e institucioneve, me zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, me mirëqeverisjen dhe me llogaridhënien. Ndërkohë, shkalla e meritës do të mbështetet në instrumente konkret që do të lehtësojnë aktivizimin e saj në kohë reale. Katalogun kombëtar të pozicioneve dhe kompetencave, regjistrin kombëtar të talenteve, sistemin kombëtar të provimeve digjitale dhe Meritë AI, që është një tjetër element i sistemit.

Tani, çfarë do të thotë në fakt një regjistër kombëtar i talenteve? Do të thotë që, të gjithë ata që duan të kontribuojnë për shtetin shqiptar do të kenë mundësi të regjistrojnë kandidaturën e tyre, pra disponimin e tyre, gatishmërinë e tyre dhe pastaj sipas profesionit dhe sipas fushës së tyre të dijes të dalë nga dokumentat e vënë në këtë regjistër po prej tyre, ata do të informohen në kohë reale për të gjitha mundësitë që krijohen, për të gjitha konkurset që hapen dhe do të kenë mundësi që të jenë jo vetëm të informuar, por dhe të jenë aktiv në raport me këto mundësi dhe me këto konkurse.

Këto instrumenta do na ndihmojnë të vendosim standarde të unifikuara dhe objektive. Të identifikojmë më mirë potencialin profesional, të zhvillojmë konkurse shumë më të besueshme dhe të përdorim të dhënat për të kuptuar ku sistemi funksionon dhe ku ka nevojë për korrigjim. E di që ka skepticizëm, e di që edhe tani që po flas shumëkush thotë “ehu, një mënyrë tjetër për të shtyrë në kohë një periudhë qeverisëse dhe nga ana tjetër për të mos bërë gjënë e duhur”. I kam dëgjuar këto dhe më parë por po kujtoj vetëm një nga shumë faktet. Në vitet e para të qeverisjes sonë, hyrja në universitet vazhdonte të ishte një kaos, vazhdonte të ishte një vrapim ku më të shpejtët nuk ishin ata që kishin këmbët e shpejta, por ata që kishin krahët e mbështetur dhe që kapërcenin pastaj radhët dhe gjendeshin përpara atyre që s'kishin një emër të njohur, s'kishin një mbiemër të famshëm, s'kishin një baba të pasur apo s'kishin një lidhje partie.

Sa vite ka që nuk diskutohet më merita në hyrje në universitet? E njëjta gjë do të ndodhë edhe për administratën, sepse do të jetë e pamundur që të ndërhyhet në sistemin e provimit unik dhe nga ana tjetër në të gjithë sistemin e promovimit sipas meritës që ne po krijojmë me shkallën e meritës. Inteligjenca artificiale do të na ndihmojë të evidentojmë probleme që sot nuk arrijmë t'i shohim në kohë, por i shohim kur ato janë bërë tepër. Nuk do të jetë inteligjenca artificiale që vendos se kush do të punësohet, kush duhet të përparojë, kush duhet të largohet, se përgjegjësia për këto vendime mbetet njerëzore dhe ligjore, por ama falë inteligjencës artificiale gjithçka do të jetë transparente dhe çdo lëvizje, çdo promovim, çdo largim do të jenë të bazuara pikërisht tek standardet e Shkallës së Meritës" tha Rama. 

Ora 13:32
'Nuk mjafton një sistem digjital', Rama për administratën: Institucionet duhet t’u përgjigjen qytetarëve në kohë (VIDEO)

Kryeministri Rama tha se pas digjitalizimit të shërbimeve publike, administrata duhet të përmirësojë mënyrën si u përgjigjet qytetarëve dhe si vlerëson punonjësit e saj. Sipas tij, nuk mjafton të kesh teknologji të përparuar nëse institucionet nuk u përgjigjen qytetarëve në kohë. Po ashtu, punonjësit që punojnë më mirë duhet të kenë mundësi të përparojnë në karrierë. Pikërisht këtu hyn “Shkalla e Meritës”, që synon të përmirësojë vlerësimin dhe përparimin në administratë.

"Krijimi i Ministrisë është një zhvillim i rëndësishëm institucional, ndërsa ‘’Shkalla e Meritës’’ që mund të duket si një aspekt më teknik në fakt prek diçka më të thellë, mënyrën se si e kuptojmë marrëdhënien e qytetarit me shtetin dhe të shtetit me njerëzit që punojnë për të, pra për shtetin.

Përgjatë këtyre viteve transformimi i administratës publike shqiptare flet me fakte, fakte të cilat si të gjitha faktet humbasin në ‘’mjegullën’’ e madhe të së përditshmes, të gënjeshtrave, të gjysmë të vërtetave që janë gënjeshtrat më të mëdha dhe të lajmeve që natyrshëm duke qenë të ditës, zënë vendin kryesor, por ne e kemi ndryshuar mënyrën si ofrohen shërbimet. Kemi hequr sportelet, ato sportelet e tmerrshme të cilat është mirë që t'i kujtojmë kur flasim për nga kemi ardhur, ku jemi dhe ku duam të shkojmë dhe që ishin përcaktuese në jetën e përditshme të qytetarëve për një pjesë dërrmuese të shërbimeve.

Kemi investuar shumë në teknologji, gjë që na ka bërë një shembull në rajon dhe gjë që ka tërhequr vëmendje edhe përtej rajonit duke na kthyer në një adresë ku ftohemi për të ndarë eksperiencën në konferenca, në forume, në samite të shërbimeve dhe të teknologjisë dhe kemi ndërtuar një infrastrukturë digjitale që na ka vendosur faktikisht, jo sipas meje, jo sipas nesh, por sipas Bankës Botërore, në grupin më të përparuar të vendeve në vlerësimin e GovTech-ut, e qeverisjes përmes teknologjisë. Kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm në një fushë ku dikur shteti ishte sinonim i radhëve, i letrave, i vulave, i humbjes së kohës dhe i bakshisheve, qoftë edhe për të marrë në kohë një certifikatë lindjeje.

Sot të gjitha këto duken kaq të largëta dhe janë faktikisht kaq shumë larg saqë bëhet e pamundur edhe për të patur një mirëkuptim të menjëhershëm kur i sjellim në vëmendje sepse për shumëkënd gati-gati nuk kanë ekzistuar, por në fakt dallimi i madh mes një shteti që ka sisteme moderne dhe një shteti që funksionon në mënyrë moderne në çdo nivel të tij, bëhet pikërisht tek përparimi i administratës dhe këtu unë njerëzve u jap të drejtë.

Mund ta kesh shërbimin më të sofistikuar digjital, por nëse pas atij shërbimi qëndron një institucion që gjithsesi nuk i përgjigjet qytetarit në kohë, nuk merr përgjegjësi kur kërkesa e qytetarit zvarritet apo humbet, nuk ka aftësi vetëkorrigjuese, atëherë qytetari vazhdon të ketë një problem serioz me shtetin në tërësi pasi mjafton një institucion, mjafton një derë që nuk hapet për të krijuar një perceptim shumë negativ për shtetin në tërësi. Mund të kesh rregullat më të mira të rekrutimit, ne i kemi, por nëse brenda institucionit njeriu që punon më mirë nuk ka më shumë mundësi të përparojë se ai që nuk punon, atëherë thellësisht sistemi nuk mund të konsiderohet tërësisht funksional.

Prandaj me ‘’Besën’’ kemi synuar të ndryshojmë pikërisht këtë marrëdhënie të qytetarit me shërbimin.

Me me ‘’Pasqyrën’’ forcojmë transparencën dhe llogaridhënien.

Ndërsa me ‘’Shkallën e Meritës’’ po futemi te një element që i ndikon të gjithë të tjerët: njerëzit e administratës, mënyrën se si menaxhohen si kapital njerëzor dhe se si vlerësohet ky kapital njerëzor i Republikës së Shqipërisë." tha Rama. 

Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★
3.7 / 5 (6 vlerësime)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Or tej: 02/11/2026 20:42

    Ka rregulla kooperativa or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • Lol: 02/11/2026 18:42

    Po Rama do futet ne provim ? S’ma merr mendja se e kalon ? Eshte fiksuar me Cambridge. Kujton se shqiptaret jane britanike.

    Përgjigju
  • Injoranti: 02/11/2026 17:00

    Kete thagmen e fundit si keshilltare te medias dhe komunikimit ka shume mundesi ta kesh gjetur ne Kembrixh.

    Përgjigju
  • One: 02/11/2026 15:48

    E ke bere balte me keto iniciativa boshe. Vendimet e rendesishme merren ne tavoline me krimin. Je i pabesueshem dhe nuk frymezon dot me. Largohu qe te vijne ide dhe energji te reja

    Përgjigju
    • Two: 02/11/2026 15:56

      fiks ja ke thene po ja qe do tju mesoje e beje provim si te mos vjedhin, ky ali baba i 40 hajduteve, pak para se te na leje shendene.

  • Ori: 02/11/2026 15:36

    Mendoj qe as ti vet nuk i beson asaj cfar thua.Ke ndertuar nje sistem aq te korruptuar saqe nuk e shemb dot as ti vet.As ka dhe as do ket kurr meritokraci ky vend.Te arrish ne kushte ku pacienti i shtruar ne spital ti blej vet ilacet ne farmaci se spitali nuk ka ilace tregon haptazi ne cfar korrupsioni skandaloz e ke zhytur vendin.A ka krim me te madh se ky?Hap krahun Edo,nuk mban me pilafi uje thot populli,ky vend nuk ka nevoj per Diellen por per diell.

    Përgjigju
  • Nikoleta: 02/11/2026 15:24

    FUTU DHE TI NE PROVIM NJEHERE TE SHOHIM SA VLEN )))

    Përgjigju
  • O lumëmadhi ti: 02/11/2026 15:14

    Ngele duke hapur pasqyra edhe regjistra...po ku gjejmë derman ne,aty edhe denim me vdekje te kete administra,prap do vjedhim, se janë mësuar me mjalt tani,nuk ndalen më!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 29 Tetor, 18:29

    A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve?