Kryeministri Edi Rama shpjegoi në fjalën e tij se se sistemi i ri do të mbështetet në disa instrumente, mes tyre Katalogu Kombëtar i Pozicioneve dhe Kompetencave, Regjistri Kombëtar i Talenteve dhe “MeritAI”.
Sipas tij, të gjithë ata që duan të kontribuojnë në administratën shtetërore do të kenë mundësi të regjistrojnë kandidaturën e tyre në Regjistrin e Talenteve dhe të informohen në kohë reale për vendet e lira dhe konkurset që përputhen me profesionin dhe kualifikimet e tyre. Rama theksoi se ndërhyrjet do të jenë të pamundura në sistemin e provimit unik dhe në Shkallën e Meritës.
"Krijimi i Ministrisë së Administratës Publike jep kësaj përgjegjësie për menaxhimin e mirë të kapitalit njerëzor të Republikës së Shqipërisë një adresë të qartë institucionale. Kjo do të jetë një ministri që do të vijojë punën reformuese të nisur tashmë me reformën e administratës në tërësinë e saj, me organizimin dhe funksionimin e institucioneve, me zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, me mirëqeverisjen dhe me llogaridhënien. Ndërkohë, shkalla e meritës do të mbështetet në instrumente konkret që do të lehtësojnë aktivizimin e saj në kohë reale. Katalogun kombëtar të pozicioneve dhe kompetencave, regjistrin kombëtar të talenteve, sistemin kombëtar të provimeve digjitale dhe Meritë AI, që është një tjetër element i sistemit.
Tani, çfarë do të thotë në fakt një regjistër kombëtar i talenteve? Do të thotë që, të gjithë ata që duan të kontribuojnë për shtetin shqiptar do të kenë mundësi të regjistrojnë kandidaturën e tyre, pra disponimin e tyre, gatishmërinë e tyre dhe pastaj sipas profesionit dhe sipas fushës së tyre të dijes të dalë nga dokumentat e vënë në këtë regjistër po prej tyre, ata do të informohen në kohë reale për të gjitha mundësitë që krijohen, për të gjitha konkurset që hapen dhe do të kenë mundësi që të jenë jo vetëm të informuar, por dhe të jenë aktiv në raport me këto mundësi dhe me këto konkurse.
Këto instrumenta do na ndihmojnë të vendosim standarde të unifikuara dhe objektive. Të identifikojmë më mirë potencialin profesional, të zhvillojmë konkurse shumë më të besueshme dhe të përdorim të dhënat për të kuptuar ku sistemi funksionon dhe ku ka nevojë për korrigjim. E di që ka skepticizëm, e di që edhe tani që po flas shumëkush thotë “ehu, një mënyrë tjetër për të shtyrë në kohë një periudhë qeverisëse dhe nga ana tjetër për të mos bërë gjënë e duhur”. I kam dëgjuar këto dhe më parë por po kujtoj vetëm një nga shumë faktet. Në vitet e para të qeverisjes sonë, hyrja në universitet vazhdonte të ishte një kaos, vazhdonte të ishte një vrapim ku më të shpejtët nuk ishin ata që kishin këmbët e shpejta, por ata që kishin krahët e mbështetur dhe që kapërcenin pastaj radhët dhe gjendeshin përpara atyre që s'kishin një emër të njohur, s'kishin një mbiemër të famshëm, s'kishin një baba të pasur apo s'kishin një lidhje partie.
Sa vite ka që nuk diskutohet më merita në hyrje në universitet? E njëjta gjë do të ndodhë edhe për administratën, sepse do të jetë e pamundur që të ndërhyhet në sistemin e provimit unik dhe nga ana tjetër në të gjithë sistemin e promovimit sipas meritës që ne po krijojmë me shkallën e meritës. Inteligjenca artificiale do të na ndihmojë të evidentojmë probleme që sot nuk arrijmë t'i shohim në kohë, por i shohim kur ato janë bërë tepër. Nuk do të jetë inteligjenca artificiale që vendos se kush do të punësohet, kush duhet të përparojë, kush duhet të largohet, se përgjegjësia për këto vendime mbetet njerëzore dhe ligjore, por ama falë inteligjencës artificiale gjithçka do të jetë transparente dhe çdo lëvizje, çdo promovim, çdo largim do të jenë të bazuara pikërisht tek standardet e Shkallës së Meritës" tha Rama.
Lajmi kryesor:
Rama për administratën: Provim kombëtar unik sipas modelit të Cambridge, emërime e promovime sipas ‘Shkallës së Meritës’! Edhe regjistër talentesh







