Kanë përfunduar homazhet në nder të diplomatit të shquar, ish-deputetit dhe publicistit Bashkim Zeneli, i cili u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare.
Në ceremoninë mortore, vajza e tij, Valbona Zeneli, mbajti një fjalë prekëse në emër të familjes, duke kujtuar figurën e të atit, kontributin e tij në jetën publike dhe vlerat që e karakterizuan gjatë gjithë jetës.
Të lidhura
None found
Ajo e përshkroi të atin si një njeri që rrezatonte drejtësi, zgjuarsi, vizion, butësi dhe dashuri për të bukurën, ndërsa theksoi se jeta e tij ishte një vepër e madhe historike, politike, shoqërore dhe kulturore.
Valbona Zeneli, kujtoi gjithashtu dashurinë dhe përkushtimin e prindërve të saj, të cilët festuan 50-vjetorin e martesës, duke u shprehur se ajo dhe familja patën fatin të rriteshin në një familje të mbushur me dashuri, integritet dhe përkushtim.
Në fjalën e saj, ajo vuri në pah edhe karakterin e fortë të Bashkim Zenelit, i cili, sipas saj, nuk iu përkul kurrë injorancës dhe servilizmit, as gjatë komunizmit dhe as në vitet e mëvonshme.
Pena e tij, theksoi ajo, nuk iu bind askujt, ndërsa ai gjithmonë respektoi njerëzit e thjeshtë dhe sfidoi pushtetarët.
Pjesë nga fjala e Valbona Zenelit:
Je far ndriçues nga ata që rrezatojnë drejtësi, zgjuarsi, vizion, butësi dhe dashuri për të bukurën.
I shtrenjti ynë, jeta jote ka qenë një vepër historike, politike, shoqërore, kulturore, por një jetë e ndarë me dashurinë dhe bukurinë tënde, mamin engjëllin, siç e quajte ti.
Nuk iu përkule kurrë injorancës dhe servilizmit, jo vetëm në komunizëm, por edhe sot. Pena jote nuk iu bind kurrë askujt. Ke respektuar të thjeshtin dhe ke sfiduar pushtetarin.
Si diplomat ke ndërtuar ura. Ke mbështetur shqiptarët kudo ku ke shërbyer dhe dera e shtëpisë sonë ka qenë e hapur gjithmonë. Ke shtruar shumë rrugë të integrimit të Shqipërisë në Europë. Refuzoje kategorikisht çdo akti që mban peng njeriun, nga korrupsioni dhe klientelizmin. Ti flije gjumë qetë dhe e nisje ditën duke kënduar.








