Këpucë të arta për një kampion, Harry Kane shfaqet me modelin special pas triumfit në “Topin e Artë”
Harry Kane zgjodhi një mënyrë të veçantë për të festuar fitimin e “Topit të Artë”. Sulmuesi anglez i Bayern Munichut është shfaqur me këpucë speciale, të zbukuruara me detaje ari, në prag të përballjes së madhe ndaj Borussia Dortmundit, në ndeshjen e njohur si “Der Klassiker”.
Bëhet fjalë për një edicion ekskluziv të krijuar nga kompania “Skechers”, sponsori teknik i futbollistit, në nder të sezonit të jashtëzakonshëm që i siguroi atij çmimin më prestigjioz individual në futboll.
Modeli mban emrin SKX_2 Elite “Mark of Greatness” dhe është realizuar në ngjyrë të bardhë me detaje metalike ari. Çifti i personalizuar për Kane përmban edhe fletë ari 24-karatësh, duke e kthyer atë në një artikull unik të krijuar posaçërisht për sulmuesin anglez.
Por detajet nuk përfundojnë këtu. Këpucët mbajnë firmën e Kane, inicialet e tij dhe një emblemë të veçantë me një luan anglez që mban një çelës, ku është përfshirë edhe numri 73.
Ky numër nuk është zgjedhur rastësisht. Ai përfaqëson 73 golat e realizuar nga Kane gjatë sezonit 2025/26 me Bayern Munichun dhe përfaqësuesen e Anglisë, në 65 paraqitje.
Në nder të kësaj arritjeje, “Skechers” ka prodhuar gjithashtu vetëm 73 palë të këtij edicioni special për publikun, një palë për çdo gol të shënuar nga sulmuesi. Ndërkohë, versioni i veshur nga Kane është unik dhe përmban detaje të vërteta prej ari 24-karatësh.
Një tjetër element personal është përfshirja e emrave të katër fëmijëve të tij në pjesën e pasme të këpucëve, duke i dhënë këtij modeli edhe një domethënie familjare.
Kane i veshi këpucët speciale në përballjen ndaj Borussia Dortmundit, ku Bayern e nderoi gjithashtu për fitimin e “Topit të Artë”. Megjithatë, mbrëmja nuk përfundoi me një tjetër gol për anglezin, i cili goditi traversën nga pika e penalltisë në barazimin 2-2 mes dy skuadrave.
Një sezon historik, 73 gola dhe një çmim individual që tashmë ka edhe simbolin e vet: këpucët e arta të Harry Kane.




