
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një komunikim në rrjetet sociale, ku ka prezantuar planin për transformimin e administratës publike dhe krijimin e mekanizmave të rinj për vlerësimin e punonjësve të saj.
Ndërsa studentët vijojnë protestën edhe këtë të hënë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, Rama u ndal te procesi i negociatave me Bashkimin Evropian dhe reformat që, sipas tij, synojnë përmirësimin e funksionimit të administratës. Ai e prezantoi një prej nismave të reja me emrin “Shkalla e Meritës”, e cila synon të vlerësojë aftësitë dhe performancën e punonjësve të administratës publike.
“Me Besën kemi synuar të ndryshojmë marrëdhëniet e qytetarit me shërbimin, me pasqyrën fokusohemi te transparenca dhe me shkallën e meritës, te vlerësimi i kapitalit njerëzor. Kur ishim duke hyrë në procesin e negociatave, kam thënë se negociatat do të hapen, por si do t’ia bëjmë kur të ulemi në tryezë? Këtu është fjala për disiplinën që kërkon procesi. Administrata jonë ka njerëz që përballen me ekspertët e Komisionit Evropian me dinjitet”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se llogaridhënia duhet të jetë pjesë e përditshme e funksionimit të institucioneve dhe jo një proces që nis vetëm kur problemet bëhen publike. Sipas tij, reforma synon ta afrojë administratën me qytetarët dhe të përmirësojë mënyrën se si institucionet u përgjigjen kërkesave të tyre.
“Llogaridhënia nuk mund të fillojë kur problemet bëhen publike, por duhet të jetë pjesë e përditshme e funksionimit të shtetit. Krijimi i administratës publike jep mundësi për menaxhim të qartë. Kemi reflektuar mbi mënyrën se si të jemi më pranë njerëzve, duke e sjellë më pranë administratën, më pranë shtetin, duke sjellë më pranë tyre edhe ndjesinë se janë ata që janë arsyeja ekzistenciale, jetësore e shërbimeve të administratës”, deklaroi ai.
Rama bëri të ditur se në kuadër të reformës do të përdoret edhe inteligjenca artificiale, ndërsa shpjegoi se “Shkalla e Meritës” synon të krijojë mundësi që personat më të përgatitur dhe më të përkushtuar të hyjnë në administratë dhe të avancojnë në karrierën e tyre në bazë të meritës.
Pjesë e planit është edhe krijimi i Ministrisë së Administratës Publike, e cila, sipas kryeministrit, do të përqendrohet te organizimi i institucioneve, menaxhimi i burimeve njerëzore dhe përgjegjshmëria e administratës ndaj qytetarëve.
“Pjesë e këtyre ndryshimeve, ku kemi thirrur në ndihmë IA-në, por jo vetëm, është edhe Shkalla e Meritës. Tjetër reformë që në thelb ka të bëjë me një pyetje shumë të thjeshtë: Si ta bëjmë administratën një hapësirë ku njerëzit më të aftë, më të përgatitur, më të përkushtuar dhe më të dëshiruar që t’i shërbejnë vendit nga ana e shtetit, të mund jo vetëm të hyjnë, por edhe të ecin përpara, kur hyjnë, në shkallën e hierarkisë në administratë?”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se ministria e re do të ketë përgjegjësi edhe për mirëqeverisjen dhe për garantimin e një administrate që u përgjigjet kërkesave të qytetarëve, në mënyrë që problemet e tyre të mos humbasin në atë që e cilësoi si “oqeanin e burokracisë”.