Stuhia “Agneta” shkakton përmbytje në ishujt grekë, priten reshje të tjera

Stuhia “Agneta” ka sjellë përmbytje dhe dëme në Rodos, një prej zonave më të prekura nga moti i keq. Pamjet e xhiruara nga qytetarët tregojnë ujërat e krijuara nga reshjet e dendura teksa marrin përpara dhjetëra makina në rrugët e ishullit. Probleme janë raportuar edhe në Samos, Kalymnos dhe Greqinë qendrore.

Në Arhangelos, në lindje të Rodosit, lumi doli nga shtrati gjatë natës pas rreth 17 orësh reshjesh pa ndërprerje. Përmbytjet shkaktuan dëme të mëdha në rrugë dhe infrastrukturë.

Të lidhura

None found

Të dhënat e deritanishme tregojnë se të paktën 60 automjete janë marrë nga ujërat ose janë dëmtuar, ndërsa dhjetëra banesa dhe biznese janë përmbytur. Disa banorë u detyruan të ngjiteshin në çatitë e shtëpive të tyre. Zjarrfikësit zhvilluan dhjetëra operacione për të evakuuar personat e bllokuar.

Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, Mbrojtja Civile dërgoi herë pas here njoftime përmes numrit të emergjencës 112. Banorëve dhe turistëve iu kërkua të lëviznin vetëm kur ishte absolutisht e nevojshme. Shkollat në zonat më të goditura mbetën të mbyllura.

Në disa pika në jug të Rodosit është ndërprerë edhe qarkullimi i automjeteve. Autoritetet janë në gatishmëri, pasi gjatë ditës parashikohen reshje dhe stuhi të forta në Dodekanez. Në të njëjtën zonë, një stuhi tjetër me reshje dhe përmbytje i mori jetën një 62-vjeçari para 3 javësh.

Sipas sinoptikanëve, “Agneta” do të vijojë të ndikojë në Greqi. Në orët e pasdites dhe të natës priten reshje e stuhi të forta në të njëjtat zona, ndërsa sistemi zhvendoset drejt ishujve të detit Jon dhe Greqisë perëndimore. Të martën, moti i keq pritet të përfshijë edhe Maqedoninë Qendrore dhe Lindore, Trakën, si dhe ishujt e Egjeut Verior dhe Lindor.


Shtuar më 2.11.2026 14:07

Quantcast