Kryeministri i vendit, Edi Rama në deklaratë për mediat me ministren për Administratën Publike Adea Pirdeni prezantuan sot më 2 nëntor një plan të ri transformimi dhe vlerësimi mbi shkallën e meritës së administratës në raport me shërbimin ndaj qytetarëve.
Rama në fjalën e tij deklaroi se nuk ka pasur fillimisht besim tek administrata e Shqipërisë, por se ka gjetur brenda saj njerëz me aftësi të jashtëzakonshme. Sipas tij, këtë gjë e ka konfirmuar edhe vetë Brukseli. Kryeministri nënvizoi se Shqipëria do të ketë një administratë të denjë për një vend anëtar të BE-së.
“Kam pasur rezerva për administratën e Shqiëprisë, nëse do të përballonte dot negociatat me BE-në. Dyshimet e mia ishin nëse administrata jonë e kishte përgatitjen e duhur për të ndjekur negociatat. Është konfirmuar nga Brukseli se administrata shqiptare ka njerëz që përballen me komisionerët e BE-së me dinjitet. Ka njerëz që janë të përkushtuar ndaj Shqipërisë europiane. Është një potencial i tërë profesional, që ekziston brenda vendit dhe ne duhet ta vlerësojmë me shumë kujdes. Nuk është fjala vetëm për teknicienë, por flitet për ata që po formësojnë një administratë, e cila do jetë e një shteti anëtar të Bashkimit Europian”, tha Rama.
Më tej, deklaroi se do të zhvillohet një provim kombëtar për të gjithë të punësuarit në administratë. Rama vlerësoi se shteti po krijon të gjitha mundësitë, që vendi të mund të ketë një administratë moderne për kohën. Po ashtu, tha se në fokus do të jetë fakti që njerëzit në administratë të mos ndihen më të demotivuar, por gjithçka të vendoset në bazë të meritës.
Po ashtu, theksoi se do të ketë një regjistër kombëtar, ku çdokush që ka aspirata të mund të ngarkojë dokumentet personale. Në këtë regjistër, do të prezantohen konkurset, ku personat që kanë aplikuar të mund të marrin pjesë. Vuri në dukje edhe se Inteligjenca Artificiale do të ndihmojë në gjetjen e pikave të dobëta, që kanë nevojë për përmirësim.
“Kushdo që dëshiron të konkurrojë, mund ta bëjë këtë gjë. Çdokush mund të ngarkojë dokumentet e tij dhe mund të informohen për mundësitë e konkurseve për punët në administratë. Do zhvillojmë konkurse shumë më të besueshme. Duam që të shikojmë se ku sistemi funksionon dhe ku ka probleme, ku duhet që të ndërhyjmë. Kujtoj se në kohën e shkuar, merita nuk ekzistonte asgjëkundi. Inteligjenca Artificiale do na ndihmojë që të gjejmë problemet që ekzistojnë. Falë AI, çdo promovim dhe largim do jetë transparent. Brenda natës nuk bëhet ndryshimi radikal, por do të vijë në mënyrë graduale. Jam optimist, sepse jemi në një fazë të pakthyeshme. Ne po ndërtojmë një administratë europiane, që duhet t’ju shërbejë më mirë shqiptarëve sot dhe do jetë edhe e denjë për Shqipërinë europiane nesër”, përmbylli kryeministri Rama.











