Gazetari Erl Murati ka komentuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me Ola Brukon, vizitën e beftë të ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në qelinë e Erion Veliajt në Fier. Sipas Muratit, ministri mund të ketë shërbyer si korrier i kryeministrit Edi Rama, duke i përcjellë Veliajt mesazhe dhe presion për të dhënë dorëheqjen nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës.

Murati tha se zhvillimet e fundit tregojnë një krizë që nuk ka nisur këtë javë, por lidhet me përplasjet politike dhe kontrollin mbi Bashkinë e Tiranës. Ai kujtoi se qeveria e shkarkoi Veliajn një vit më parë, por Gjykata Kushtetuese e riktheu në detyrë, ndërsa sipas tij, pavarësisht izolimit në burg, kryebashkiaku ka vijuar të shfaqë ambicie politike. Gazetari ngriti pikëpyetje edhe mbi përmendjen e SPAK-ut në mesazhet që, sipas avokatit Plarent Ndreca, i janë përcjellë Veliajt gjatë takimit me ministrin e Drejtësisë. Sipas Muratit, ndërhyrjet e tilla kanë nuanca kërcënuese, ndërsa përmendja e mundësisë së transferimit në burgun 302 shton pikëpyetjet mbi qëllimin e vizitës.

Murati u ndal edhe te pozicionimi i Belinda Ballukut, duke deklaruar se ajo është në revansh të plotë. Ai vuri në dukje se transferimi i Veliajt dhe i Ergys Agasit në Fier, zonë elektorale e Ballukut, si dhe mbrojtja që Rama i bëri ministres në Kuvend, sipas tij, nuk janë zhvillime të rastësishme. Gazetari tha se Rama mund të jetë i shqetësuar edhe nga rënia e mbështetjes për Partinë Socialiste, të cilën pretendoi se e tregojnë sondazhet e brendshme, pas nisjes së protestave të “Revolucionit të Flamingove”. Sipas tij, kryeministri kërkon të ketë nën kontroll Tiranën, gjashtë muaj para zgjedhjeve.

“Ministri i Drejtësisë ka shërbyer si korrier i kryeministrit. Nuk e di nëse ka një shpërthim, një lloj krize mes Ramës dhe Veliajt. Një vit më parë qeveria e shkarkoi Veliajn, ndërsa Kushtetuesja e riktheu në detyrë. Ajo që po ndodh sot është vazhdimësia e një krize. Nuk është krizë e kësaj jave, kur u transferua Veliaj, por është për shkak të kontrollit politik. Edhe pse qëndron i izoluar, Veliaj ka treguar ambicie politike, edhe pse kryeministri ka dashur ‘ta heqë qafe’. Me këtë situatë ngrihen pikëpyetje mbi ndikimin te SPAK. Kur dikush flet në emër të SPAK-ut, ngre pikëpyetje. Dueli mes dy politikanëve nuk ka mbërritur ende. Këto ndërhyrje janë me nuanca për kërcënime, pasi i përmend transferimin te 302-shi.

Veliaj nuk ka lobet që të rrëzojë pushtetin e Ramës, por mund ta cenojë atë. Nuk e dimë nëse Veliaj i ka hapur ‘luftë’ Ramës, por mendoj se kemi më shumë të bëjmë me një paranojë të kryeministrit se Veliaj mund të ndikojë te protesta. Balluku është në revansh të plotë. Nuk është rastësi që Veliaj dhe Agasi janë transferuar në Fier, në zonën elektorale të Ballukut. Nuk është rastësi që Rama e mbrojti Ballukun në Kuvend dhe nuk është rastësi ndoshta që SPAK nuk po bën një tjetër kërkesë për arrestimin e saj. Veliaj ka qenë një nga bashkëpunëtorët e Ramës dikur. Sondazhet e brendshme tregojnë një rënie të PS-së që kur ka nisur Revolucioni i Flamingove. Nuk është në kuotat e gjashtë muajve më parë. Ndaj, duke ndjerë rrezikun, Rama do që ta ketë nën kontroll Tiranën, gjashtë muaj para zgjedhjeve.”, tha Murati.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb