Aleanca e ka cilësuar humbjen e 43.8 milionë eurove nga fondet e Bashkimit Evropian si pasojë të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë së Kosovës.
Në një reagim në profilin e saj zyrtar në Facebook, Aleanca e ka akuzuar Qeverinë për mungesë vizioni, njohurish dhe llogaridhënieje. Sipas saj, pasojat e dështimeve qeveritare po i bartin qytetarët.
Të lidhura
None found
Aleanca ka theksuar se humbja e fondeve vjen në një kohë kur çmimet po rriten çdo ditë dhe bizneset po mbyllen. Ajo ka shtuar se kjo nuk është as gabim, as vonesë burokratike, por një akt papërgjegjshmërie që godet drejtpërdrejt të ardhmen e Kosovës.
Në reagim, Aleanca ka kritikuar edhe dështimet në ekonomi, përkeqësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe izolimin diplomatik. Ajo ka deklaruar se koston e këtij dështimi nuk po e paguajnë zyrtarët qeveritarë, por qytetarët e Kosovës.
Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian (BE), pasi, për shkak të bllokadës politike, nuk i ka përmbushur gjashtë nga 13 hapat e reformave me afat deri në qershor të vitit 2026.
Kryenegociatori i Kosovës me BE-në dhe koordinatori kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj, raportoi sot në Komisionin për Integrim Evropian se, gjatë periudhës shtesë deri në qershor 2026, janë zbatuar shtatë nga 13 hapat e paraparë. Gjashtë të tjerët nuk janë përmbushur brenda afatit.
Zulfaj bëri të ditur se Plani i Rritjes për Kosovën ka vlerë të përgjithshme prej 882.6 milionë eurosh. Dy të tretat e kësaj shume janë kredi të lidhura me 111 hapa reformash, të cilët duhet të përmbushen deri në fund të gushtit të vitit të ardhshëm.
Shumica e reformave të parealizuara kërkonin miratimin e projektligjeve në Kuvend, ndërkohë që ky institucion nuk ishte konstituuar.
Sipas Zulfajt, Kosova duhet të përmbushë edhe 22 hapa të tjerë deri më 31 dhjetor, me vlerë 131.5 milionë euro. Ai tha se dhjetë akte duhet të marrin miratimin e Kuvendit, ndërsa një pjesë e projektligjeve pritet të procedohen nga Qeveria.







