Irani propozon rihapjen e Hormuzit brenda 48 orësh, kërkon heqjen e bllokadës amerikane
Irani ka propozuar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda dy ditësh dhe rifillimin e negociatave bërthamore me Shtetet e Bashkuara, me kusht që Uashingtoni të pranojë kërkesat e Teheranit për heqjen e bllokadës detare dhe lehtësimin e sanksioneve. Propozimi u bë publik të hënën, më 2 nëntor, ndërsa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme vazhdojnë përmes ndërmjetësimit të Katarit.
Sipas Reuters, negociatorët iranianë janë larguar nga Doha pas bisedimeve me ndërmjetësit e Katarit, por një projektmarrëveshje po qarkullon mes palëve dhe nuk përjashtohet organizimi i një takimi tjetër.
Një zyrtar i informuar mbi negociatat deklaroi se largimi i delegacionit iranian të dielën nuk ishte shkaktuar nga vështirësi në bisedime. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha se negociatat mbështeten në një plan prej shtatë hapash, të paraqitur nga Teherani në shtator, që parashikon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe përfundimin e bllokadës detare amerikane. Plani fillestar parashikonte zbatimin brenda shtatë ditësh, por autoritetet iraniane deklarojnë se procesi mund të përfundojë brenda dy ditësh nëse arrihet marrëveshja.
Teherani kërkon heqjen e bllokadës ndaj porteve iraniane, lehtësimin e sanksioneve mbi eksportet e naftës dhe një armëpushim që të përfshijë edhe Libanin. Sipas propozimit, anijet që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit duhet të ndjekin një korridor detar të dakordësuar ndërmjet Iranit dhe Omanit, nën mbikëqyrjen iraniane. Baghaei deklaroi se asnjë marrëveshje përfundimtare nuk mund të zbatohet dhe ngushtica nuk mund të rihapet pa përfundimin e bllokadës amerikane dhe adresimin e kërkesave të Teheranit.
Megjithatë, deri tani nuk ka sinjale se administrata amerikane e ka pranuar propozimin. Presidenti Donald Trump kishte refuzuar më parë planin fillestar të Iranit. Trump ka deklaruar se bisedimet kanë qenë produktive dhe se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërmarrin sulme të reja ndaj Iranit përpara zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit, pa përjashtuar veprime të mëtejshme ushtarake. Ndërkohë, Kina njoftoi se do të dërgojë një të dërguar të posaçëm në Iran, Oman dhe Arabinë Saudite gjatë gjysmës së parë të nëntorit, me qëllim uljen e tensioneve në rajon.
Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret më të rëndësishme për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm. Kufizimet e lundrimit gjatë konfliktit kanë ndikuar ndjeshëm në furnizimin dhe çmimet e energjisë në tregjet botërore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









