Kryeministri Edi Rama vlerësoi përkushtimin e administratës shqiptare në procesin e integrimit europian. Sipas tij, vlerësimi për administratën vjen edhe nga partnerët europianë, ndërsa theksoi se njohja e meritës dhe promovimi i profesionistëve do të jenë në qendër të reformës së re për administratën publike.
“Si do t’ia bëjmë kur të ulemi në tryezë? Rezervat e mia nëse do ta përballonim atë që na priste për integrimin ishin serioze, për nivelin e përgatitjes, disiplinën që kërkon një proces i tillë, me burokratët e Brukselit përballë, që janë si sahat zviceran.
Sot konfirmohet, hap pas hapi, jo nga unë, por nga Brukseli dhe partnerët e BE-së, me të cilët shkëmbejmë çdo ditë, se administrata jonë ka njerëz që njohin në detaje fusha shumë komplekse, njerëz që përballen me ekspertë të huaj me dinjitet, si të barabartë, dhe që fitojnë dhe ushqejnë respekt, njerëz që i janë përkushtuar shërbimit ndaj Republikës së Shqipërisë, ndaj vetë Shqipërisë europiane.
Nuk flas për një apo dy individë. Flas për qindra njerëz, potencial të tërë profesional, që ne kemi detyrimin ta njohim shumë më mirë dhe ta vlerësojmë me shumë më tepër kujdes. Nuk flasim për teknikë që përgatisin ligjet me standardet e BE-së, por flitet për ata që po formësojnë një administratë të Shqipërisë shtet anëtar i BE-së.
Mund të ketë të drejtë ai që thotë se nuk ia njohin meritën dhe karriera mund të varet nga kjo rastësi. Dhe kjo është e padrejtë, bëhet e padrejtë për qytetarët që shërbehen. Sepse kjo krijon brenda organizimit të administratës një mpirje, një demotivim dhe një prishje të asaj Shkalle të Meritës që ne do ta vendosim në qendër të vëmendjes sonë dhe do të jetë prioritet i ministrisë së re për administratën publike”, tha Rama.

