Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar përkushtimin dhe nivelin profesional të administratës shqiptare në procesin e integrimit europian. Gjatë një deklarate, ai theksoi se vlerësimi për punën e administratës po konfirmohet edhe nga partnerët e Bashkimit Europian, me të cilët Shqipëria bashkëpunon çdo ditë.
Rama u shpreh se fillimisht kishte pasur rezerva nëse administrata shqiptare do të ishte në gjendje të përballonte kërkesat e një procesi kaq kompleks, veçanërisht përballë ekspertëve dhe burokratëve të institucioneve europiane.
“Sot konfirmohet, hap pas hapi, jo nga unë, por nga Brukseli dhe partnerët e BE-së, me të cilët shkëmbejmë çdo ditë, se administrata jonë ka njerëz që njohin në detaje fusha shumë komplekse, njerëz që përballen me ekspertë të huaj me dinjitet, si të barabartë, dhe që fitojnë dhe ushqejnë respekt”, deklaroi kryeministri.
Ai nënvizoi se bëhet fjalë për qindra profesionistë dhe jo për raste të veçuara, duke theksuar se ky potencial duhet të njihet dhe të vlerësohet më shumë.
Sipas tij, këta punonjës nuk janë thjesht specialistë që përshtatin legjislacionin me standardet e BE-së, por profesionistë që po kontribuojnë në ndërtimin e një administrate të aftë për të funksionuar në kushtet e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Kreu i qeverisë pranoi se mosnjohja e meritës dhe rastësia në zhvillimin e karrierës mund të krijojnë padrejtësi brenda administratës, duke ndikuar edhe te cilësia e shërbimit ndaj qytetarëve.
“Kjo krijon brenda organizimit të administratës një mpirje, një demotivim dhe një prishje të asaj Shkalle të Meritës që ne do ta vendosim në qendër të vëmendjes sonë”, u shpreh Rama.
Ai bëri të ditur se njohja e meritës dhe promovimi i profesionistëve do të jenë ndër prioritetet e reformës së re për administratën publike dhe të ministrisë së re që do të mbulojë këtë sektor.