Fotoja e ndeshjes Barcelona–Viktoria Plzen që trondit futbollin/ Tre nga katër mbrojtësit humbën jetën në rrethana tragjike
Një fotografi e shkrepur para 15 vitesh në Champions League fsheh pas saj një histori të dhimbshme. Bëhet fjalë për ndeshjen mes Barcelonës dhe Viktoria Plzeň, të zhvilluar më 19 tetor 2011 në stadiumin “Camp Nou”, ku tre nga katër futbollistët e repartit mbrojtës të skuadrës çeke do të ndërronin jetë në vitet pasuese, në rrethana tragjike.
Barcelona e asaj kohe, me Lionel Messin, Xavin dhe Iniestën në fushë, fitoi 2-0 ndaj skuadrës çeke. Por sot, vëmendja nuk është te rezultati, por te fati i lojtarëve që shfaqen në një fotografi para fillimit të takimit.
Në atë imazh dallohen David Bystron, František Rajtoral dhe Marián Čišovský, tre prej katër mbrojtësve titullarë të Viktoria Plzeň. I vetmi që ka mbetur gjallë nga ai repart është David Limberský.
Dy futbollistë i dhanë fund jetës brenda pak javësh
František Rajtoral ishte i pari që humbi jetën. Më 23 prill 2017, futbollisti çek u gjet i pajetë në banesën e tij në Turqi, ku aktivizohej me Gaziantepsporin. Ai ishte vetëm 31 vjeç. Vdekja e tij u konfirmua si vetëvrasje.

Vetëm pak javë më vonë, një tjetër tragjedi goditi ish-shokët e tij të skuadrës. David Bystron, 34 vjeç, u gjet i vdekur në Zvicër më 19 maj 2017. Edhe vdekja e tij u konfirmua si vetëvrasje. Sipas raportimeve të kohës, ai po përballej me probleme familjare dhe financiare.

Čišovský humbi betejën me ALS-në
Fati i tretë tragjik ishte ai i Marián Čišovský. Ish-mbrojtësi sllovak u diagnostikua në vitin 2014 me sklerozë laterale amiotrofike (ALS), një sëmundje neurodegjenerative që prek gradualisht muskujt dhe aftësinë për të lëvizur.

Pas gjashtë vitesh përballjeje me sëmundjen, Čišovský ndërroi jetë më 28 qershor 2020, në moshën vetëm 40-vjeçare. Ai la pas bashkëshorten dhe tre fëmijët.
Në nderim të tij, Viktoria Plzeň vendosi të tërhiqte fanellën me numrin 28, të cilën futbollisti e kishte mbajtur gjatë karrierës së tij.
I vetmi i mbijetuar nga ajo mbrojtje
David Limberský është i vetmi prej katër mbrojtësve që vazhdon të jetë gjallë. Ai e mbylli karrierën profesioniste në vitin 2021, por më vonë u rikthye të luante në nivele amatore në futbollin çek.

Një fotografi e zakonshme para një ndeshjeje të madhe të Champions League është kthyer kështu në kujtimin e një historie jashtëzakonisht të dhimbshme. Katër futbollistë që dikur ndanin të njëjtën mbrojtje, të njëjtën fanellë dhe të njëjtën ëndërr sportive, u përballën me fate krejt të ndryshme.
Një histori që tregon se pas lavdisë së futbollit fshihen edhe drama njerëzore që shpesh nuk shihen në fushën e lojës.




