Manchester United ka shtuar interesimin për disa futbollistë të Borussia Dortmundit, në kuadër të planeve për përforcimin e skuadrës në merkatot e ardhshme. Sipas raportimeve të “TEAMtalk”, drejtuesit e klubit anglez kanë dërguar skautët e tyre për të ndjekur nga afër përballjen mes Dortmundit dhe Bayern Munichut, e cila përfundoi në barazimin 2-2.
Në fokusin e “Djajve të Kuq” janë katër emra: Serhou Guirassy, Jude Bellingham, Felix Nmecha dhe Daniel Svensson. Tre të parët janë objektiva që ndiqen prej kohësh nga klubi anglez, ndërsa paraqitjet e tyre këtë sezon kanë shtuar interesimin e drejtuesve.
Guirassy shihet si një alternativë për të përforcuar repartin ofensiv dhe për të afruar një sulmues qendre cilësor. Megjithatë, transferimi i tij nuk pritet të jetë i lehtë. E njëjta situatë paraqitet edhe për Bellingham dhe Nmecha, pasi vlera e lartë financiare e këtyre futbollistëve mund ta vështirësojë realizimin e marrëveshjeve.
Ndërkohë, një pistë më konkrete duket ajo që çon te Daniel Svensson. Mbrojtësi i majtë 24-vjeçar shihet si një përforcim i mundshëm për krahun e majtë të mbrojtjes, repart ku Manchester United kërkon alternativa pas dështimit për të transferuar Leëis Hall nga Neëcastle gjatë verës.
Sipas të njëjtave raportime, afrimi i Svenssonit mund të shqyrtohet më seriozisht gjatë merkatos së verës, ndërsa ende nuk është vendosur se kur United do të ndërhyjë për të përforcuar këtë pozicion.
