Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi nuk arriti t’i përmbushë gjashtë nga 13 hapat reformues që kishin afat deri në qershor 2026. Lajmin e dha kryenegociatori i Kosovës me BE-në dhe koordinatori kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj, gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian, të hënën, më 2 nëntor.
Sipas Zulfajt, nga 13 hapat e paraparë në periudhën shtesë deri në qershor 2026, Kosova arriti t’i zbatojë shtatë, ndërsa gjashtë të tjerë mbetën pa u përmbushur.
“Nga 13 hapa në periudhën shtesë, deri në qershor 2026, zbatuam shtatë dhe gjashtë jo. Llogaritet mbi 40 milionë euro, ose më saktë 43.8 milionë euro, të cilat kanë humbur në afatin e qershorit”, tha ai.
Reformat që mbetën pa u përmbushur
Zulfaj shpjegoi se shumica e reformave të papërmbushura kërkonin miratimin e projektligjeve në Kuvendin e Kosovës, në një periudhë kur ky institucion ishte i shpërndarë.
Ndër reformat që nuk u përfunduan brenda afatit, ai përmendi Ligjin për energjinë, Ligjin për falimentimin, pakon ligjore për drejtësinë dhe Strategjinë kundër krimit të organizuar. Sipas materialit të paraqitur në komision, në listën e gjashtë reformave që mbetën pa u zbatuar bëjnë pjesë edhe ligjet për energjinë elektrike bashkë me aktet nënligjore, Ligji për ndihmën shtetërore dhe Sistemi i Kontrollit të Ndihmës Shtetërore, Ligji për inovacion dhe ndërmarrësi, legjislacioni kornizë për falimentimin dhe Ligji për kamatëvonesat, si dhe pakoja prej gjashtë ligjeve jetike, përfshirë ligjet për KPK-në, KGJK-në, Akademinë e Drejtësisë, përgjegjësinë disiplinore, rekrutimin dhe kontrollin e integritetit.
Kryenegociatori theksoi se këto reforma do të vazhdojnë të procedohen për miratim, pavarësisht humbjes së mjeteve financiare të lidhura me afatin e qershorit.
22 hapa të tjerë deri më 31 dhjetor
Zulfaj bëri të ditur se vlera e përgjithshme e Planit të Rritjes për Kosovën është 882.6 milionë euro, ku dy të tretat janë kredi të lidhura me 111 hapa reformash, që duhet të përmbushen deri në fund të gushtit të vitit 2027.
Ai njoftoi se më 15 korrik të këtij viti Kosova dorëzoi kërkesën e parë për pagesë, duke raportuar për përmbushjen e 20 hapave reformues, në vlerë prej 153.4 milionë eurosh. Sipas tij, shuma përfundimtare që do të përfitojë Kosova do të përcaktohet pas vlerësimit të Bashkimit Evropian, rezultatet e të cilit priten në ditët e para të nëntorit.
Kosovës i mbeten edhe 22 hapa të tjerë reformues, në vlerë prej 131.5 milionë eurosh, që duhet të përmbushen deri më 31 dhjetor të këtij viti.
“Tani kemi përpara vetes 22 hapa në vlerë prej 131.5 milionë euro, që skadojnë më 31 dhjetor. Pra, kanë mbetur edhe 59 ditë, 10 akte duhet të kalojnë në këtë Kuvend, projektligji për inovacion dhe ndërmarrësi tashmë është në Kuvend, kurse të tjerat Qeveria do t’i sjellë për miratim”, tha Zulfaj.
Ai shtoi se vonesa shkaktohen edhe nga konsultimi me Komisionin Evropian, i cili, përveç konsultimeve publike, kërkon rreth 90 ditë për të kthyer komentet mbi ligjet.
Sipas Zulfajt, dy nga hapat me afat 31 dhjetorin janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Kuvendit: themelimi i Komisionit për Ndihmë Shtetërore dhe masat ose ndëshkimet që lidhen me Rregulloren e Punës së Kuvendit. Për shkak të kohës së kufizuar, ai kërkoi mobilizim institucional dhe procedura të përshpejtuara për miratimin e reformave.
Pyetjet e deputetes dhe përgjigjet për statusin kandidat
Gjatë diskutimit, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e pyeti Zulfajn nëse qeveria i ka siguruar votat për miratimin e Kodit Civil, duke përmendur dispozitat për martesën, bashkësinë familjare dhe të drejtat e personave me orientime të ndryshme seksuale. Ajo kërkoi sqarime edhe për mundësinë e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE, për ndikimin e zhvillimeve politike në Serbi, si dhe për pezullimin e dialogut strategjik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marrëveshjen e Brukselit, Aneksin e Ohrit dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Zulfaj iu përgjigj se deri më 31 dhjetor janë 22 hapa dhe se Kodi Civil është pjesë e tyre, ndërsa miratimi i tij është përgjegjësi e Kuvendit.
“Kodi civil, janë 22 hapa jo 18-të, dy prej tyre ka kuvendi, është pjesë e këtyre hapave. Është përgjegjësi e kuvendit që ta kaloj, shpresoj që të ketë konsensus shoqëror në lidhje me vlerat që janë të përfaqësuara në kodin civil”, tha ai.
Për negociatat e anëtarësimit, kryenegociatori përsëriti se Kosova nuk ka ndonjë kriter të paplotësuar dhe e cilësoi vendimin si çështje të vullnetit politik dhe të unitetit brenda BE-së. Ai nuk komentoi zgjedhjet në Serbi, dialogun Kosovë-Serbi, Marrëveshjen e Brukselit apo dialogun strategjik me SHBA-në, duke thënë se këto çështje nuk bëjnë pjesë në përgjegjësitë e tij, dhe sugjeroi që komisioni të ftojë kryenegociatorin përkatës për dialogun me Serbinë.
Sipas të dhënave të paraqitura, deri tani Kosova ka tërhequr 62 milionë euro si parafinancim, ose 7 për qind të shumës, ndërsa pjesa tjetër kushtëzohet me hapat e agjendës. Paketa e BE-së për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027 është në vlerë 6 miliardë euro, nga të cilat Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro: 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë kredie. Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen ndërkombëtare me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes më 13 shkurt 2026.
