Është shtyrë për nesër në orën 13:00 seanca për ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni në Apelin e Posaçëm, ku ka ankimuar masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ të vendosur më herët ndaj saj.
Shkak u bë mungesa e prokurorëve të çështjes, pasi bashkë me kolegë nga SPAK e GJKKO ndodhen në një fatkeqësi familjare të prokororit Sotir Kllapi.
Masën e kanë ankimuar edhe Embro Sulejmani, menaxher i agroturizmit “Kodra e Kuajve”, i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit dhe Fatjon Kalluçi, përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore nën hetim për zbulim të akteve ose të dhënave sekrete.
Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ ankimoi masën pa mbushur ende një javë nga ndalimi i saj për veprat penale të përkrahjes së autorit të krimit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror.
SPAK dyshon se Hyseni ka bashkëpunuar me Ergys Agasin, i cili është arrestuar më herët për çështjen e AKSHI-t, duke e pajisur këtë të fundit me të dhëna që përbëjnë sekret shtetëror.

