Buxheti 2027, BSH këshillon qeverinë: Ulja e TVSH për ushqimet, ndikim negativ në inflacion. Mbyllni reformën e pensioneve
Banka e Shqipërisë sheh me skepticizëm uljen e çmimeve për produktet e shportës, pas reduktimit të TVSH-së nga 20 në 6%, të paktën në një fazë të parë të zbatimit të masës në treg.
“Varet nga tipologjia e secilës ofertë. Nëse ndryshimi që do të ndodhë do të rrisë kursimet ose aftësinë blerëse të konsumatorëve, kjo do të sjellë rritje të kërkesës për konsum. Por, nga ana tjetër, nëse produkti për të cilin kërkesa u rrit ka një ofertë joelastike, kjo do të përkthehet në rritje çmimi. Në raundin e parë pritet të ketë një ndikim negativ në inflacion.”, tha Natasha Ahmetaj, zv..Guvernatore e Bankës së Shqipërisë
Në opinionin për projektbuxhetin për vitin 2027, Banka Qendrore përsërit për qeverinë kërkesën që të përfundojë reformën e pensioneve dhe që, përmes saj, të adresojë sfidat aktuale demografike dhe të tregut të punës.
“Banka e Shqipërisë inkurajon vijimin e përpjekjeve për reformimin e skemës së pensioneve, shqyrtimin e mundësive për përshtatjen graduale të parametrave të skemës publike dhe zgjerimin e bazës së kontribuuesve, si edhe zhvillimin e mëtejshëm të skemave plotësuese të pensioneve, në vijim të reformave të ndërmarra. E nevojshme është edhe përfshirja sistematike e projeksioneve demografike në planifikimin fiskal afatmesëm dhe afatgjatë.”
Po ashtu, Banka e Shqipërisë i tërheq vëmendjen qeverisë që shpenzimet buxhetore të jenë të planifikuara më mirë dhe të shpërndara përgjatë gjithë vitit, sidomos ato të investimeve publike, me qëllim që të ketë një përdorim më efikas të fondeve.
/vizionplus.tv




