Përplasja mes magjistratëve dhe mazhorancës për formulën e re të pagave do të marrë përgjigje në Gjykatën Kushtetuese. Më 2 dhjetor do të shqyrtohet kërkesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve të miratuara nga Kuvendi.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë më 2 dhjetor kundërshtimin e tre organizatave të magjistratëve ndaj mënyrës së re të llogaritjes së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kanë kërkuar pezullimin dhe shfuqizimin e formulës së miratuar nga Kuvendi, duke pretenduar se ajo nuk garanton nivelin e duhur të pagës referuese.
Në thelb të kundërshtimit është mënyra se si përcaktohet paga bazë. Magjistratët kërkojnë që ajo të lidhet me pagën e një funksionari të lartë të administratës publike, e cila pëson indeksime periodike, dhe jo me pagën e Presidentit të Republikës.
Sipas formulës së miratuar nga mazhoranca, paga referuese pëson një rritje prej rreth 8 500 lekësh. Por gjyqtarët dhe prokurorët e konsiderojnë këtë ndryshim të pamjaftueshëm.
Ata argumentojnë se, në përputhje me vendimmarrjen e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, rritja duhet të jetë të paktën 80 mijë lekë.