Kryeministri Edi Rama theksoi se në administratën publike duhet të vlerësohen dhe promovohen punonjësit mbi bazën e meritës, jo të lidhjeve apo mbështetjes që mund të kenë. Sipas tij, rritja e pagave dhe përmirësimi i kushteve të punës nuk mjaftojnë nëse ata që punojnë mirë nuk kanë mundësi të përparojnë në karrierë, ndryshe nga ata që punojnë më pak, por që, siç u shpreh ai, i kanë “krahët e ngrohtë”.
“Një pagë më e mirë dhe kushte më të mira pune nuk e zgjidhin problemin themelor, meritën. Është bërë trend në një bisedë të gjerë publike se ku është merita. S’ka meritë, nuk vlerësohet njeriu sipas meritës. Dhe ky dëgjim është i rëndësishëm, edhe pse jo e gjitha është e zezë, ashtu sikundër jo e gjitha është e bardhë. Jemi të vetëdijshëm, mund t’i paguash më mirë njerëzit dhe mund të mos arrish të dallosh atë që punon shkëlqyeshëm dhe atë që bën minimumin. Ky dallim nuk mund të lihet në dorën e një drejtuesi.
Përsëri, këtë aftësi për të marrë përgjegjësi më të mëdha duhet ta lexojë sistemi, jo thjesht ta kuptojë sot një person, ai që është mbi ty. Mund të krijojmë sisteme të reja, rregullore, por nëse një njeri që punon mirë nuk ka mundësi të ecë përpara nga ai që punon më pak ose që thotë “i kam krahët e ngrohtë”, nuk kemi ndryshuar asgjë. Dhe këtu merr rëndësi Shkalla e Meritës”, tha Rama.

