Ka dalë nga shtypi, me siglën e Botimeve Toena, romani i ri i Maklena Nikës, “Rozë antraciti”, që ndërthur revolucione kolektive dhe revolta të brendshme përmes një rrëfimi që lëviz mes reales, absurdit dhe surreales. Në qendër të veprës qëndron një grua në Tiranë, ndërsa në qytet shpërthejnë protestat e Revolucionit të Flamingove; megjithë trazirat nëpër sheshe, ajo zgjedh të mos dalë nëpër protesta, por të marrë një formë tjetër veprimi: të shkruajë një roman. Kjo zgjedhje shënon fillimin e revolucionit të saj personal.
Romani fokusohet tek përballja e heroinës me kohën, kujtesën dhe padrejtësitë e së kaluarës, si dhe me dashurinë dhe ndryshimet e trupit të saj. Tema si menopauza, dëshira dhe seksualiteti trajtohen pa tabu, si pjesë e një revolucioni intim dhe ekzistencial. Rrëfimi përshkruan edhe një histori dashurie ku pasioni dhe magjepsja ndaj tjetrit krijojnë një univers të veçantë; dashuria paraqitet si akt lirie apo si dorëzim i vetëshpallur, duke shfaqur nuanca të ndryshme të lidhjes emocionale dhe erotike.
Titulli, “Rozë antraciti”, gjeneron një imazh paradoksal: një ngjyrë që nuk ekziston por mund të përjetohet, simbol i dashurisë në përballje me errësirën dhe i dëshirës përballë kohës. Gruaja e tekstit nuk është lindur “rozë” si flamingot, por përpiqet ta shpikë vetë ngjyrën e saj; koncepti shërben si metaforë për kontradiktat, transformimet dhe revoluconet e heshtura të individit.
Struktura e veprës është e veçantë: çdo kapitull ka ritmin e vet muzikor dhe ndërthur gjuhën poetike me ironinë, sensualitetin dhe reflektimin mbi identitetin dhe lirinë individuale. Pas dy vëllimeve poetike, “Oksimoron” dhe “Nitroglicerinë”, Maklena Nika sjell një roman ku akti i të shkruarit integron veten në rrëfim, duke mjegulluar kufijtë mes asaj që jetohet, asaj që imagjinohet dhe asaj që merr jetë në letërsi.

