Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka meritë historike që sipas tij, largoi kryedemokratin Sali Berisha nga bulevardi dhe tentativa për të ‘rrëmbyer’ protestën që prej muajsh po zhvillohet në kryeqytet.
Komentet Spahiu i bëri në një lidhje për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, ku tha se Qori sot është konkurrenti kryesor i Partisë Demokratike për të marrë ‘flamurin’ e opozitës.
“Unë nuk them që nuk kanë meritë partitë. Unë u bëj thirrje të gjithëve që Arlind Qorin ta shënojnë në piedestal, për t’i bërë një monument historik. Ai ka hyrë në historinë politike që nxorri Berishën 6 muaj jashtë bulevardit. Qori po tregon vitalitet, rezistencë e forcë. Ai po largon edhe PD-në, partinë më të vjetër opozitare, nga bulevardi. Qori duhet konsideruar. Qori ka vendosur kandidaturën për Tiranën dhe kam bindjen që ai do marrë më shumë vota se PD. Është sot rreziku kryesor i llogores opozitare për të marrë flamurin e opozitës”, tha mes të tjerash Spahiu.
Teksa këshilloi protestuesit që të krijojnë partinë e tyre politike për t’u përfaqësuar në zgjedhje, Spahiu tha se BE nuk po i mbështet protestat, për shkak të dhunës që është ushtruar në to.
Spahiu tha gjithashtu se çdokush që është pro-protestave duhet t’i këshillojë protestuesit që të shmangin aktet e dhunës, me qëllim rritjen e mbështetjes, si nga populli, ashtu edhe partnerët ndërkombëtarë.
“Studentët duhet të kuptojnë një gjë, ose që partitë që janë mes tyre janë një pengesë e fortë, ose të zgjedhin që njëra prej tyre të jetë lidere e protestës. Pra ose të pranojnë bashkëpunimin, ose ta kuptojnë që ato janë pengesë për hapin e radhës. Pra efekti i rritjes së pjesëmarrjes me militantë partiak me parti të vjetra apo të reja, është efekt afatshkurtër. Afatgjatë është pengesë. Nga ana tjetër, nuk po mundet që komuniteti ndërkombëtar të jetë pro protestës. Çdokush që është pro-protestës, duhet t’i këshillojë protestuesit që të mos zhvillojnë protesta të dhunshme, sepse Europa po kërcënohet nga këto protesta. Studentët duhet të krijojnë partinë e tyre politike, nëse duan të shkojnë drejt një modeli të suksesshëm. Pra duhet të krijohet lëvizje e re, përndryshe do të jenë viktimë e shkopave që vëndosin nën rrota partitë e vjetra politike”, shtoi Spahiu.
Juristi Kreshnik Spahiu ka këshilluar protestuesit që të hyjnë në garë për pushtetin lokal, përmes ‘Listës Studentore’.
Komentet Spahiu i bëri në një lidhje live për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, ku tha se studentët nëse duan rotacion politik, duhet të futen në garë kundër partive të vjetra.
Teksa kërkoi nga studentët nxjerrjen e kandidatit të tyre për kryeministër, ai tha se lista e tyre me 140 deputetë, nuk është e thënë që të jetë e përbërë nga vetëm studentë, por sipas Spahiut, mes tyre mund të ketë edhe pedagogë apo elektorat gri.
“Lufta fillon në kryeqytet, për Tiranën. Studentët nëse duan rotacion politik, duhet të futen në garë kundër partive të vjetra. Të garojnë me listën e tyre. Lista Studentore për kryetarët e bashkive. S’është e thënë që të jenë studentë, mund të jenë pedagogë, mund të jenë rektorë, dekanë. Por duhet të dalin nga gjiri jashtë politikës, nga elektorati gri, jashtë listave partiake”, tha mes të tjerash Spahiu.
Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se studentët po bëjnë gabim fatal që nuk po krijojnë partinë e tyre politike, për të garuar në zgjedhjet lokale të vitit 2027.
Në një lidhje për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, Spahiu tha se studentët në Shqipëri duhet të ndjekin shembullin e Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, të fitojnë Bashkinë e Tiranës, e cila sipas tij do të shërbejë si ‘trampolinë’ për marrjen e pushtetit.
“Studentët nuk po përgatiten të hyjnë në zgjedhje dhe ky është një gabim fatal. Studentët nuk do përfaqësohen në zgjedhjet lokale, nuk do nxjerrin listën e tyre, nuk do garojnë për të larguar PS dhe PD-në nga qeveria e Tiranës, e Durrësit. Mos të harrojmë, pushteti lokal është shumë i rëndësishëm. Qori është një hap para Listës Studentore. Dhe studentët bëjnë shumë gabim që nuk po kapin momentin politik. Qori ka vendosur kandidaturën. Lufta dhe gara politike për të marrë pushtetin fillon te pushteti lokal. Vetëvendosja, hapin e parë drejt pushtetit politik e hodhi kur mori Prishtinën, kryeqytetin. Po more Romën, ra perandoria zotëri. Këta nuk e kanë kuptuar lojën, merr kryeqytetin dhe pastaj Shqipërinë”, tha mes të tjerash Spahiu.







Komente
Komento