Hungaria do të publikojë këtë javë emrat e dhjetëra mijëra personave që bashkëpunuan me shërbimet e sigurisë së regjimit komunist, në një përpjekje për t’u përballur me të kaluarën dhe për të rikthyer besimin e publikut te institucionet.
Sipas “The Guardian”, qeveria e re hungareze do të hapë të mërkurën një bazë të dhënash online, ku qytetarët do të mund të kërkojnë emrat e personave që kanë figuruar si informatorë të policisë sekrete gjatë periudhës 1945-1989.
Gjatë regjimit komunist, shërbimet e sigurimit të shtetit të Hungarisë mbështeteshin në një rrjet të gjerë informatorësh për të mbikëqyrur shoqërinë dhe për të shtypur kundërshtimin politik.
Disa prej tyre ishin detyruar ose shantazhuar të raportonin për fqinjë, miq, kolegë dhe madje edhe familjarë, ndërsa të tjerë ishin rekrutuar në këmbim të favoreve apo përfitimeve.
Për dekada, të ashtuquajturat “dosje të agjentëve” kanë qëndruar kryesisht jashtë mundësive të publikut, të ruajtura në arkivat historike të shërbimeve të sigurisë shtetërore.
Kryeministri Péter Magyar kishte premtuar gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të prillit se do t’i bënte publike dosjet. Në shtator, qeveria miratoi ligjin që i hapi rrugën publikimit, një masë që, sipas sondazheve të cituara nga “The Guardian”, mbështetej nga më shumë se dy të tretat e hungarezëve.
“Një shoqëri demokratike ka të drejtë të njohë të kaluarën e saj”, deklaroi ministri i Marrëdhënieve Shoqërore dhe Kulturës, Zoltán Tarr.
Deri tani, dokumentet mund të konsultoheshin kryesisht nga studiuesit dhe të afërmit e viktimave. Me bazën e re të të dhënave, Hungaria pritet të bëhet një nga vendet më transparente të ish-bllokut lindor për sa i përket dosjeve të shërbimeve sekrete komuniste.












