Pas fitores 2-0 ndaj Napolit, trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, shfryu pakënaqësinë e tij në një konferencë shtypi, duke akuzuar “stalla” (scuderie) të caktuara se po ndikojnë në narrativën rreth Juventusit. Ai theksoi se këto “stalla” po krijojnë presion të tepërt mbi skuadrën dhe pritshmëri të ekzagjeruara te tifozët. Spalletti u shpreh se në këtë moment, me vetëm 13 lojtarë të disponueshëm për shkak të dëmtimeve, nuk mund të kërkohet shumë nga grupi i tij. Ai theksoi se skuadra nuk mund të krahasohet me askënd tjetër për shkak të mungesave të shumta, duke shtuar se “stalla” preferojnë të thonë se Juventusi duhet të fitojë kampionatin, ndërsa të tjerët ndoshta duhet të luftojnë për Champions League.
Në thelb, Spalletti i drejtohej një narrative të përhapur mes shtypit, opinionistëve dhe ish-lojtarëve, e cila, sipas tij, krijon pritshmëri të larta në një ambient tashmë kërkues, duke harruar vështirësitë me të cilat po përballet Juventusi. Ai gjithashtu la të kuptohej për një trajtim të ndryshëm të Juventusit krahasuar me kundërshtarët, duke denoncuar një lloj “agresiviteti” të kritikës ndaj bardhezinjve. “Shkojmë të luajmë kundër Napolit që ka të njëjtat pikë si ne, por mua më duket se arrijmë ndryshe dhe jo vetëm sepse ata fituan ndeshjen e fundit me meritë dhe bënë një paraqitje të shkëlqyer, ndërsa ne e humbëm keq. Është sepse na pëlqen ta bëjmë kështu. Por arsyen e dini ju…”, shtoi ai në mënyrë sibiline drejtuar gazetarëve.
Kjo nuk është hera e parë që Spalletti shfryhet në këtë mënyrë, duke përdorur koncepte kriptike dhe mesazhe indirekte për të identifikuar një “armik të jashtëm” dhe për të bashkuar grupin në vështirësi. Ai beson se nëse publikut i thuhet se Juventusi duhet të fitojë kampionatin tani, atëherë po u tregohet një gënjeshtër. Trajneri i Certaldos shkoi deri aty sa ia atribuoi narrativës së jashtme edhe fishkëllimat e forta të tifozëve ndaj Kolo Muani. Me fjalë të tjera, pasi u frenuan erërat e krizës, Spalletti ka filluar sërish të ndërtojë “fortesën” e tij, duke përdorur këto deklarata si gurë themeli.
Marrë nga La Gazzetta dello Sport
