Autoritetet spanjolle sekuestruan rreth 10 ton kokainë, një prej sasive më të mëdha në historinë e vendit, të gjetura në dy magazina në zonën industriale “El Labradorcico” në qytezën bregdetare Águilas. Sipas të dhënave paraprake të Gardës Civile, objektet dyshohet të jenë pjesë e një qendre logjistike të menaxhuar nga një organizatë kriminale me origjinë shqiptare.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, sekuestrimi nuk u realizua pas një operacioni hetimor të nisur nga policia, por pas një gabimi njerëzor: një punëtor i magazinës, gjatë manovrimit me pirun ngritës, përmbysi aksidentalisht një paletë dhe nga ajo ranë pako me kokainë. Punëtori u arratis menjëherë, ndërsa Garda Civile ndërhyri shpejt në vendngjarje. Në magazinën e parë u gjetën mbi pesë ton kokainë të paketuar dhe gati për shpërndarje.
Pas marrjes së lejes gjyqësore, autoritetet kontrolluan një kapanon të dytë ngjitur, i cili funksiononte pa tabela ose emër kompanie. Brenda këtij ambienti u gjet një sasi tjetër masive droge, duke rritur totalin në afro 10 ton. Vlera e ngarkesës së sekuestruar vlerësohet të jetë midis 130 dhe 145 milionë euro.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se magazinat në Águilas shërbenin si një pikë qendrore logjistike: droga, sipas hetuesve, vinte nga Amerika Latine, depozitohej në Águilas dhe prej andej paketimi dhe shpërndarja bëhej me kamionë drejt vendeve të ndryshme të Evropës Qendrore dhe Veriore. Hetuesit spanjollë deklarojnë se pas kësaj logjistike qëndron një rrjet i fuqishëm i mafias shqiptare.
Zona industriale mbetet e rrethuar nga forca të shumta policore. Agjentët po shqyrtojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe dokumentacionet e bizneseve që dyshohen si fantazmë, në përpjekje për të gjetur drejtuesit dhe lidhjet e rrjetit të trafikut.

