Kalimi nga Besiktas te Trabzonspor ka qenë vendimi më i mirë që mund të ketë marrë Ernest Muçi dhe kjo vihet re nga performancat që sulmuesi shqiptar po jep në fushë.
3 golat dhe 6 asistet në Superligën turke, shtojmë këtu dhe kontributet në Conference League dhe Kupën e Turqisë, janë dëshmi se në Besikat mund të jenë penduar që e lanë të ikte për 8 milionë euro.
I këtij mendimi është dhe gazetari turk, Haldun Domac, i cili në një lidhje direkte me televizioni “A Spor”, është shprehur se Muçi po dhuron performanca të shkëlqyera me ekipin nga Trabzoni, ndërsa ngre pyetjen nëse tek “Shqiponjat e Stambollit” ndihen në fajë që morën vendimin për ta larguar.
“Mos vallë te Besiktas janë duke u menduar: A bëmë vallë gabim që e lamë atë të shkojë”, shprehet Domac. Çdo ndeshje që kalon, e vërteton më së miri se çfarë është i aftë të bëjë Ernest Muçi në fushë. Duke organizuar lojën, ndërton skema, shërben, madje në momente kur duhet të shënojë, tregon cilësitë e tij me të djathtën, njëjtë siç bëri me Gaziantep.
Ndoshta tek Besiktas mund të jenë nxituar disi që nuk besuan e si rrjedhojë nuk i dhanë minuta. Mirëpo, atë çfarë i mungoi nga ish-skuadra, Muçi po e shpalos tek klubi nga Trabzoni që nuk ngurroi ta shpërblejë me blerjen e kartonit.











